Vanessa Trump, ish-bashkëshortja e Donald Trump Jr, djalit të Presidentit te SHBA-ve, ka zbuluar publikisht se është diagnostikuar me kancer gjiri. Në një postim emocional në rrjetet sociale, ajo tregoi se po ndjek një plan trajtimi dhe se po përballet me situatën me shpresë dhe optimizëm.

“Kam dashur të ndaj një përditësim personal për shëndetin tim. Së fundmi jam diagnostikuar me kancer gjiri. Edhe pse kjo nuk është një lajm që dikush pret të marrë, po punoj ngushtë me ekipin tim mjekësor për një plan trajtimi”, shkroi ajo.
Vanessa falënderoi mjekët për procedurën që ka kryer këtë javë dhe theksoi se po qëndron “e fokusuar dhe me shpresë”, ndërsa është e rrethuar nga mbështetja e familjes dhe fëmijëve të saj.
“Faleminderit për mirësinë dhe mbështetjen tuaj, do të thotë më shumë sesa mund ta shpreh. Ju kërkoj mirëkuptim dhe privatësi, ndërsa fokusohem te shëndeti dhe rikuperimi im”, u shpreh ajo.
Pas publikimit të lajmit, mesazhe mbështetëse erdhën edhe nga familjarët e saj, përfshirë Ivanka Trump, e cila komentoi: “Lutem për forcën tënde dhe një rikuperim të shpejtë. Të dua”.
Vanessa Trump ishte e martuar me Donald Trump Jr. nga viti 2005 deri në vitin 2018 dhe ata kanë pesë fëmijë së bashku.


