3 Dhjetor, 2019

“Zemrën e kam atje…”, Emina Çunmulaj e përlotur tregon sa para dhuron për të prekurit nga tërmeti


Modelja shqiptare, Emina Çunmulaj, e cila jeton në SHBA, gjithmonë ka qenë e gatshme për bamirësitë e shumta që ka bërë në Shqipëri. Edhe në këto ditë të vështira që po kalon vendi ynë për shkak të tërmetit, nuk ka munguar ndihma e saj.

Në një lidhje direktë për emisionin ‘NIN’, Emina tregoi se dhuron 10 mijë dollarë për të prekurit nga tërmeti. Ajo nuk i ka mbajtur lotët duke thënë se e ka për detyrë të ndihmojë sepse mban gjak shqiptari dhe popullin  e saj e do shumë. Modelja gjithashtu tregoi se së shpejti do të vijë në Shqipëri.

“Unë tani jam në Los Angeles, por jam munduar të bëj sa kam mundur, se e kam për detyrë si Emina dhe e kam si detyrë për gjakun tim shqiptar dhe për popullin që e dua aq shumë. Ne si komunitet në Los Angeles kemi bashkuar 3 konteniera të mëdhenj dhe do nisen për Shqipëri së shpejti. Falenderoj të gjithë ata që kanë dhuruar. Unë mundohem t’i jap njerëzve shpresë se së bashku mund t’i bëjmë të gjitha. E kam përjetuar shumë vështirë. E kam për detyrë të jem aty, mirëpo e kam pasur vajzën e vogël në spital dhe nuk kam mundur të vij. E ndjej veten shumë keq. Trupin e kam këtu, por zemrën atje. Unë e dua shumë popullin tim, mburrem nga vij. Do mundohem sa më parë të vij të bëj atë që ma thotë shpirti dhe zemra. Personalisht do i jap 10 mijë dollarë fondacionit. Kjo është gjëja më e vogël që mund të bëj. Do bëj dhe një organizim në Los Angeles dhe do mbledh disa fonde”, tregoi Emina e përlotur.

Ajo gjithashtu ka qenë aktive në rrjetet sociale duke iu bërë thirrje të gjithëve që të kontribuojnë për Shqipërinë.

© Panoramaplus.al