22 Janar, 2019

“Whatsapp” njofton një kufizim të rëndësishëm për mesazhet, ja çfarë


Platforma për dërgimin e mesazheve, “Whatsapp”, do t’i kufizojë të gjithë përdoruesit e saj në përcjelljen e një mesazhi deri në pesë herë, në përpjekje për të penguar shpërndarjen e lajmeve të rreme.

Platforma e poseduar nga “Facebook”-u ka nisur ta zbatojë këtë politikë në Indi që prej gjashtë muajsh. Deri tani, përdoruesit gjetkë kanë mundur ta përcjellin mesazhin e njëjtë deri në 20 herë, raporton Rel.

Përditësimi i rregullave të platformës u bë publik në një ngjarje në Xhakartë të Indonezisë.

Ky vend do t’i mbajë zgjedhjet e përgjithshme në prill. “Kufizimi i pëcjelljes së mesazheve i redukton ndjeshëm mesazhet e dërguara në të gjithë botën”, tha për BBC-në një zëdhënëse e “Whatsapp”-it.

Javën e kaluar, “Facebook” ka njoftuar se ka fshirë 500 faqe dhe llogari që besohet se kanë qenë të përfshira në shpërndarjen e lajmeve të rreme në Evropën Qendrore, Ukrainë dhe vende të tjera të Evropës Lindore.

© Panoramaplus.al