Disa pamje pak para momenteve të fundit të Betsy Arakwa, gruas së Gene Hackman, janë publikuar nga autoritetet e New Mexico.

Në video shihet 65-vjeçarja pak orë para se të gjendej e vdekur në shtëpinë e saj nga një infeksion i rrallë i shkaktuar nga një virus minjsh.

Bestsy është kapur nga kamerat e një marketi ku ajo po furnizohej me ushqim, në Santa Fe.

Ajo kishte veshur xhinse, pallto të errët, një shall dhe një maskë të zezë teksa dukej shumë e qetë dhe pa ndonjë shqetësim.

Arakawa, e cila ishte kujdesur plotësisht për Hackman, shëndeti i të cilit ishte përkeqësuar vitet e fundit, thuhet se vdiq të nesërmen, më 12 shkurt. Hackman vdiq gjashtë ditë më vonë, me gjasë pa e kuptuar humbjen e saj, pasi vuante nga Alzheimer.

Njëri prej qenve të çiftit është gjetur gjithashtu i vdekur. Kafsha ishte mbyllur në një kafaz pas një vizite te veterineri dhe mbeti e bllokuar për shumë ditë, pasi nuk kishte njeri që të kujdesej për të.

Autoritetet thonë se çifti u gjet më 26 shkurt, kur anëtarët e sigurisë vunë re mungesën e komunikimit dhe njoftuan policinë. Shtëpia prej 4 milionë dollarësh u gjet e shkatërruar, e mbushur me grumbuj rrobash, sende personale, medikamente dhe shënime mes dy bashkëshortëve. Gjetjet përfshinin brejtës të ngordhur, jashtëqitje dhe fole në tetë vende të ndryshme në prone.


