16 Prill, 2026

VIDEO/ Ruby Rose pretendon se është ngacmuar s*ksualisht nga Katy Perry, publikohen pamjet nga nata e përmendur


Një video e publikuar së fundmi në internet ka rikthyer në vëmendje një ngjarje të pretenduar nga aktorja australiane Ruby Rose, e cila akuzon këngëtaren Katy Perry për ngacmim seksual.

katy perry

Sipas raportimit të TMZ, pamjet i përkasin një nate rreth 16 vite më parë. Më 15 gusht 2010, Perry ishte e pranishme në një event mature në Melbourne, ku performoi live për publikun. Në materialet audio-vizuale të asaj mbrëmjeje, ajo shihet në skenë duke kënduar dhe duke interpretuar edhe këngën Single Ladies (Put a Ring on It) të Beyoncé, ndërsa shfaqet në një atmosferë festive dhe të relaksuar.

Raporti vijon duke theksuar se pas eventit, Perry dhe Rose kanë shkuar në një klub nate në Melbourne, Spice Market, vend i lidhur me pretendimin e aktores. Sipas Rose, pikërisht aty ka ndodhur incidenti i supozuar.

Aktorja i ka bërë publike akuzat përmes postimeve në rrjetet sociale, duke deklaruar se ngjarja ka ndodhur kur ajo ishte rreth 20 vjeç. Ajo ka pohuar se ka dorëzuar një raport formal pranë autoriteteve dhe se kjo ka çuar në hapjen e një hetimi. Sipas saj, i është kërkuar gjithashtu të shmangë deklaratat publike gjatë kohës që procedura është në zhvillim.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e Katy Perry i kanë hedhur poshtë kategorikisht akuzat, duke i cilësuar ato si “gënjeshtra të rrezikshme dhe të pabaza”.

Ndërkohë, sipas raportimeve, çështja është nën hetim nga autoritetet përkatëse, me një ekip të specializuar për krime seksuale që po ndjek rastin. Hetimet vijojnë dhe nuk ka ende një përfundim zyrtar.

Ruby Rose është e njohur për rolet e saj në seriale si Batwoman dhe Orange Is the New Black, ndërsa çështja në fjalë ka tërhequr vëmendje të gjerë në media dhe rrjete sociale.

© Panoramaplus.al