Një moment nga koncerti i Coldplay në stadiumin Gillette në Boston, mbrëmjen e së mërkurës më 16 korrik, është bërë viral në rrjet, pasi këngëtari i grupit, Chris Martin, pa dashje “zbuloi” një lidhje të fshehtë mes një CEO-je dhe një punonjësjeje të tij.
Në videon që qarkullon gjerësisht në rrjetet sociale, Andy Byron, CEO i kompanisë së softuerëve Astronomer, dhe Kristin Cabot, drejtore e burimeve njerëzore në të njëjtën kompani, shfaqen në “kiss cam”, ekranin e madh të stadiumit, duke qëndruar shumë pranë njëri-tjetrit.
Byron, i cili është i martuar, shihet duke mbajtur Kristin nga beli, ndërsa ajo qëndron para tij.
Kur Martin i pa në ekran, komentoi me humor: “Oh, shikoni këta të dy.”
Reagimi i menjëhershëm i Byron ishte të largonte duart dhe të fshihej pas kangjellave, ndërsa Kristin mbuloi fytyrën me duar, dukshëm e tronditur.
Audienca shpërtheu në të qeshura, ndërsa këngëtari shtoi me ironi: “Ose janë në një lidhje, ose janë shumë të turpshëm.”
Sipas profilit të Byron në LinkedIn, ai është CEO i Astronomer që prej korrikut 2023. Kompania vlerësohet në mbi 1.3 miliardë dollarë. Ndërkohë, Kristin Cabot ka nisur detyrën si Chief People Officer në të njëjtën kompani para nëntë muajsh.
Videoja ka marrë mijëra shpërndarje në X dhe TikTok, duke nxitur reagime të shumta.
Përdorues të shumtë kanë akuzuar Byron për tradhti bashkëshortore, ndërsa kanë shprehur mbështetje për bashkëshorten e tij.
© Panoramaplus.al

