26 Qershor, 2025

VIDEO/ Jeff Bezos dhe Lauren Sanchez mbërrijnë në Venecia mes protestave dhe luksit: Ja sa pritet të kushtojë dasma


Jeff Bezos dhe e fejuara e tij Lauren Sanchez kanë mbërritur në Venecia për dasmën e shumëpërfolur, ndërsa banorët vendas shprehin pakënaqësinë ndaj shndërrimit të qytetit në një skenë elitare për të pasurit.

Të mërkurën, më 25 qershor, kamerat fiksuan çiftin teksa dilnin nga hoteli luksoz Aman Venice në Kanalin e Madh, ku do të qëndrojnë përpara ceremonisë që mediat tashmë e quajnë “dasmën e shekullit”.

Sipas Reuters, rreth 90 avionë privatë pritet të zbarkojnë në rajonin e Venetos për të sjellë afro 250 të ftuar, përfshirë figura të njohura nga bota e biznesit, politikës dhe argëtimit. Shifra totale e shpenzimeve parashikohet të jetë midis 46 dhe 56 milionë dollarë.

Por përgatitjet për dasmën nuk janë pritur me entuziazëm nga të gjithë. Banorët vendas dhe aktivistë kanë protestuar për mënyrën si festime të tilla përjashtojnë komunitetin lokal.

“Tani kanë rëndësi vetëm paratë, dhe ne jemi humbësit,” – tha Nadia Rigo, një banore e zemëruar e qytetit.

“Duhet të kërkojmë leje për të hipur në një varkë. Ata janë bërë zotërinj,” shtoi ajo.

Për të parandaluar incidente gjatë festimeve, autoritetet vendore kanë lëshuar një dekret special për bllokimin e zonave të caktuara, për të mbrojtur të ftuarit nga protestat apo ndërhyrjet e paparacëve.

Një gjest bujarie mes kritikash

Në përpjekje për të balancuar reagimet, guvernatori i Venetos, Luca Zaia, deklaroi se çifti ka dhuruar 3 milionë euro për tre institucione lokale: CORILA (që studion ekosistemin e lagunës), zyra lokale e UNESCO-s dhe Universiteti Ndërkombëtar i Venedikut.

“Mirë se vini në Venecia, Jeff,” u shpreh Zaia, duke e cilësuar donacionin si “një gjest bujarie të jashtëzakonshme.”

Detaje nga ceremonia dhe siguria ekstreme

Eventet e dasmës do të zgjasin tre ditë dhe do të zhvillohen në vende historike të izoluara për arsye sigurie:

Të enjten mbrëma: një aktivitet nisës në kishën mesjetare Madonna dell’Orto, në lagjen Cannaregio.

Të premten, më 27 qershor: ceremoni private në ishullin San Giorgio Maggiore, pranë Sheshit të Shën Markut, në ambientet e Fondacionit Cini.

Të shtunën: kulmi i festimeve me pritjen zyrtare të dasmës, që do të zhvillohet në Arsenale, një kompleks mesjetar që aktualisht shërben si hapësirë arti dhe është i rrethuar plotësisht nga ujërat e lagunës.

Për të ruajtur privatësinë e plotë, është ngritur një tendë me mure anësore mbi një platformë lundruese, për të penguar pamjet nga kamerat dhe dronët.

Historia e çiftit

Bezos, kryetar ekzekutiv i Amazon dhe personi i katërt më i pasur në botë sipas Forbes, u fejua me Lauren Sanchez në vitin 2023, pas një lidhjeje që nisi në vitin 2019, menjëherë pas divorcit të tij me filantropen Mackenzie Scott. Marrëdhënia me Sanchez ka qenë e dukshme publikisht, me çiftiN që shfaqet shpesh në evente madhështore dhe në udhëtime luksoze.

Ndërkohë, nuk është konfirmuar zyrtarisht nëse ceremonia kryesore do të përfshijë aktin ligjor të martesës, apo nëse ajo është zhvilluar më herët në SHBA, siç aludojnë disa burime.

© Panoramaplus.al