1 Korrik, 2025

Valët e të nxehtit godasin herët, ja si ta përballoni pa harxhuar para


Vapa ka trokitur më herët këtë verë dhe bashkë me të ka ardhur edhe nevoja për të gjetur mënyra më ekonomike për t’u përballur me temperaturat përvëluese.

Në një kohë kur shumë familje përballen me sfida financiare, ndezja e kondicionerit gjatë gjithë ditës nuk është zgjidhje e përballueshme për të gjithë.

Për fat të mirë, ka mënyra të thjeshta dhe efektive për t’u freskuar pa shpenzuar shumë. Ja 5 këshilla praktike që mund t’ju ndihmojnë:

Ftohni “pikat e pulsit”

Zonat si kyçet e duarve, të këmbëve, pas gjunjëve dhe qafa janë pika kyçe për të ndjerë lehtësim të shpejtë. Vendosni aty një peshqir të lagur me ujë të ftohtë ose një qese me 2-3 kube akulli për një efekt freskues të menjëhershëm.

Pini shumë ujë

Hidratimi është çelësi për të përballuar vapën. Pini ujë të bollshëm gjatë ditës – i thjeshtë, me limon ose fruta, por shmangni pijet me gaz, kafenë dhe alkoolin, të cilat e dehidratojnë trupin.

Dush i vakët, jo i ftohtë

Edhe pse një dush i ftohtë duket zgjidhje ideale, ai mund ta bëjë trupin të reagojë duke rritur temperaturën e brendshme. Zgjidhni një dush të vakët që e ndihmon trupin të ruajë balancën termike.

Rroba të lehta dhe pambuku

Përdorni veshje të lehta, nga materiale natyrale si pambuku, dhe në ngjyra të çelëta. Rrobat e ngushta apo sintetike vetëm e përkeqësojnë ndjesinë e nxehtësisë.

Shmangni daljet e panevojshme

Dilni vetëm kur është e domosdoshme dhe gjithmonë të pajisur me ujë, krem kundër diellit dhe kapelë. Të qëndruarit në hije është shpesh mënyra më e mirë për të ruajtur energjinë dhe shëndetin.

© Panoramaplus.al