22 Mars, 2026

U shfaq përkrah Donald Trump, zbulohet e vërteta për bjonden e quajtur Jessica Foster! Ishte e gjeneruar me IA


Një profil i rremë në rrjetet sociale, që tregonte një ushtare bjonde të  Ushtrisë Amerikane me emrin Jessica Foster, ka arritur të mbledhë mbi një milion ndjekës brenda pak muajsh, edhe pse ajo nuk ekziston.

Sipas raportimeve të The Washington Post, imazhet e saj ishin të gjeneruara nga inteligjenca artificiale dhe e shfaqnin në situata të pazakonta, duke ecur përkrah Donald Trump, duke bërë selfie me Vladimir Putin, apo duke takuar liderë si Volodymyr Zelensky.

Profili promovonte mesazhe të forta politike të tipit “America First” dhe tërhoqi veçanërisht mbështetës të lëvizjes MAGA. Shumë ndjekës reaguan ndaj postimeve pa e kuptuar se personi pas tyre nuk ishte real.

Ushtria Amerikane konfirmoi se nuk ekziston asnjë person me këtë emër në radhët e saj. Përpara se të hiqej, llogaria dyshohet se ishte e lidhur me një faqe në OnlyFans, e cila u fshi për mungesë verifikimi.

Megjithëse profili origjinal është mbyllur, versione të tjera të ngjashme kanë nisur të shfaqen në platforma si TikTok, Instagram dhe X, duke përdorur të njëjtat imazhe të krijuara nga AI.

Fenomeni nuk kufizohet vetëm në SHBA. Sipas BBC, janë shpërndarë gjithashtu video të rreme me ushtare iraniane,  pavarësisht se gratë nuk lejohen në role luftarake në Iran.

Ish-kongresmeni Adam Kinzinger reagoi duke e quajtur rastin “çmenduri”, duke theksuar se shumë njerëz bien lehtësisht pre e përmbajtjeve të gjeneruara nga inteligjenca artificiale.

© Panoramaplus.al