31 Maj, 2025

FOTO/ U rrëzua gjatë pushimeve në plazh, aktorja me fraktura të rënda në fytyrë: Më ra të fikët dhe rashë mbi një…


Evangeline Lilly, aktorja e njohur për rolet e saj në serialin “Lost” dhe filmin “Ant-Man”, ka kaluar një moment dramatik dhe të dhimbshëm teksa ndodhej në pushime. 45-vjeçarja ka treguar përmes një postimi në Instagram se ka humbur ndjenjat papritur në një plazh, duke rënë me fytyrë mbi një shkëmb dhe duke pësuar plagë serioze.

Në një seri fotosh të publikuara të premten, më 30 maj, Lilly u shfaq me mavijosje dhe plagë të hapura në fytyrë, ndërsa tregonte edhe për përvojën e saj të frikshme. “Më ra të fikët në plazh. Rashë me fytyrë përtokë mbi një shkëmb. Në spital, mjekët dhe infermierët ishin më të shqetësuar për të identifikuar shkakun e të fikëtit sesa për të qepur plagën në fytyrën time,” shkruajti ajo.

Aktorja shtoi me një ton reflektues: “U buzëqesha lehtë dhe u thashë: ‘Nuk do të gjeni asgjë’”, duke lënë të kuptohet se nuk ka një shpjegim të qartë mjekësor për incidentin.

Një aksident që pason një vendim të madh personal

Ky aksident vjen vetëm disa muaj pasi Lilly njoftoi tërheqjen e saj nga aktrimi, pas një karriere 20-vjeçare në ekran. Në qershor të vitit 2024, ajo deklaroi publikisht largimin e saj nga industria e filmit për të ndjekur një rrugë më shpirtërore dhe personale.

“Jam plot gëzim dhe kënaqësi ndërsa realizoj vizionin tim. Falënderoj Zotin për bekimet e mia. Largimi nga fama dhe pasuria është i frikshëm, por kur ndjek dharmën tënde, frika zëvendësohet nga përmbushja,” kishte shkruar ajo në postimin e lamtumirës nga Hollywood-i.

Megjithatë, Lilly la derën hapur për një rikthim të mundshëm në të ardhmen:

Ndoshta një ditë do të kthehem në Hollywood, por tani për tani, unë i përkas këtij vendi. Një epokë e re po fillon, dhe unë jam gati… dhe jam e lumtur.”

Ndonëse aktorja nuk ka dhënë detaje të mëtejshme mbi shkaqet e humbjes së ndjenjave, ajo siguroi fansat se ndodhet nën kujdes mjekësor dhe po rikuperohet. Postimi i saj ka ngjallur reagime të shumta në rrjetet sociale, me ndjekës dhe kolegë që i kanë dërguar mesazhe mbështetjeje dhe shërimi të shpejtë.

© Panoramaplus.al