Neil Gaiman i cili është paditur për sulm seksual nga disa gra, ka mohuar të gjitha akuzat ndaj tij.

Në një deklaratë të gjatë ai ka shkruar se nuk ka marrë pjesë kurrë në sulme seksuale pa dëshirën e personit tjetër.
“Unë kurrë nuk kam marrë pjesë në aktivitete seksuale jo-konsensuale me askënd,” shkruan ai.
Një investigim i podcastit të medias Tortoise raportoi në korrik se dy gra ishin sulmuar seksualisht nga Neil.
Një nga gratë pretendoi se Gaiman kishte kryer akte seksuale pa pëlqimin e saj kur ajo ishte 22 vjeç dhe punonte si dado për familjen e autorit në Zelandën e Re. Gaiman mohoi çdo akuzë në atë kohë, duke thënë se të gjitha marrëdhëniet e tij seksuale ishin konsensuale.
Pasi u publikua podkasti, një grua që kishte punuar si kujdestare e autorit në New York pretendoi se ai e detyroi atë të bënte seks me të në mënyrë që ajo të jetonte në rezidencën e tij, dhe më vonë e detyroi të nënshkruante një marrëveshje moszbulimi në këmbim të një pagese prej 275,000 dollarë. Gaiman gjithashtu deklaroi në atë kohë se marrëdhënia e tyre ishte plotësisht konsensuale.
“New York Magazine,” raportoi këtë javë se gra të tjera kishin bërë gjithashtu akuza kundër autorit të “Sandman”, duke përfshirë akuzat për sulm seksual, ngacmim seksual dhe detyrim. Revista intervistoi tetë gra, gjashtë prej të cilave folën në mënyrë anonime.
Të gjitha gratë që folën me emra për “Neë York Magazine” thanë se kishin pasur marrëdhënie seksuale të rastësishme me autorin, por pretenduan se ai preferonte seksin e ashpër dhe aktivitetet BDSM, për të cilat ato nuk kishin pranuar. Dy gratë që kishin punuar për të thanë se ndiheshin të detyruara të hynin në marrëdhënie pasi punonin për Gaiman dhe jetonin në shtëpinë e tij.
Në deklaratën e plotë të postuar në faqen e tij, autori britanik tha se ai fillimisht u përmbajt nga të folurit publikisht për akuzat ” për respekt për njerëzit që ndanë historitë e tyre dhe dëshirën për të mos tërhequr më shumë vëmendjen ndaj shumë keqinformimeve. “, por shtoi: “Kam arritur në pikën tani ku ndjej se duhet të them diçka.”
Edhe pse ai ende beson se marrëdhëniet e tij me të gjitha gratë ishin “seks absolutisht konsensual” bazuar në komunikimin e grave me të në atë kohë, ai tha se kaloi muaj duke reflektuar se si sillej në marrëdhëniet e tij.
© Panoramaplus.al

