21 Mars, 2025

U padit për këngën “All I Want for Christmas Is You”, hidhet poshtë akuza! Gjykata detyron Andy Stone të dëmshpërblejë Maria Carey


Mariah Carey ka shënuar një fitore të madhe ligjore në çështjen e shkeljes së të drejtave të autorit të ngritur kundër saj nga kantautori Andy Stone. Ai pohoi se këngëtari i famshëm kopjoi elementë nga kënga e tij për të krijuar hitin e saj të përjetshëm të Krishtlindjeve, “All I Want for Christmas Is You ” .

Gjyqtarja Monica Ramirez Almadani pranoi kërkesën e këngëtarit për gjykim të shkurtuar, duke vendosur se Andy Stone nuk arriti të mbështeste pretendimet e tij me prova të mjaftueshme. Kështu, çështja u mbyll pa pasur nevojë të shkonte në gjyq, duke liruar Mariah Carey dhe bashkëkrijuesin e këngës, Walter Afanasyev, nga procedurat e mëtejshme ligjore, sipas Associated Press.

Përveç kësaj, vendimi i gjykatës vendosi sanksione ndaj Andy Stone, duke i kërkuar atij të mbulojë disa ose të gjitha tarifat ligjore të Mariah Carey. Pretendimet e tij u cilësuan si “të pabazuara”, ndërsa veprimi i tij ligjor u cilësua se ka shkaktuar “shpenzime të panevojshme”.

Çështja filloi në vitin 2023, kur Andy Stone, i njohur gjithashtu si Vince Vance, nga Luiziana dhe partneri i tij, Troy Powers nga Tenesi, ngritën një padi prej 20 milionë dollarësh. Dy kompozitorët argumentuan se kënga e Carey, e lëshuar në 1994, shkelte të drejtën e autorit të këngës së tyre, e cila kishte të njëjtin titull dhe ishte publikuar në vitin 1989.

Stone argumentoi se Carey “pa dyshim kishte akses” në këngën e tij, duke përmendur suksesin e saj të madh komercial dhe artistik. Megjithatë, gjyqtari, bazuar në analizën e një muzikologu, vendosi se dy këngët ishin “shumë të ndryshme” nga njëra-tjetra. Elementi i vetëm i përbashkët i tyre ishte përdorimi i një ” ideje të përgjithshme lirike” dhe disa klisheve të Krishtlindjeve, të cilat ishin tashmë të përhapura përpara se të krijohej kënga e Stone.

Avokati i Stone, Gerald Fox, shprehu zhgënjimin e tij me vendimin në një deklaratë për Variety. Ai tha se padia bazohej në mendimet e dy muzikologëve të respektuar, të cilët japin mësim në universitetet kryesore dhe zbuloi se klientët e tij po mendojnë të apelojnë.

© Panoramaplus.al