Artisti i këngëve popullore Bujar Qamili, i ftuar në “ABC e Mëngjesit” ka treguar emocionet e para pasi u shpall “Nderi i Kombit” disa ditë më parë nga presidenti Ilir Meta.

Ai u shpreh se kjo është vlera më e madhe që ka marrë dhe për një artist nuk ka të shkojë më lart se kaq.
“Kur më morën në telefon dhe më thanë që Presidenti i Republikës ka firmosur dekretin që ti je ‘Nderi i kombit’, ishte një shtyllë aty afër dhe u mbajta. Thash arrita më në fund atë që kisha dasht vërtetë në karrierë.
M’u bë qejfi jashtëzakonisht shumë. Thosha kur shkoja rrugës se mos i del ndonjë punë më e madhe presidentit dhe më lë mua. Një pritje e jashtëzakonshme, që në momentin që kam hyrë në derë, një emocion shumë i madh. Është vlera më e madhe që kam marrë, një artist nuk ka ku shkon më lart se sa këtu.
Derisa të kem frymë, të kem za do jap shpirtin tim për këngën. Ajo që do të më ndaj nga kënga është vetëm sëmundja, që mundet me më pengu me dal me këndu”- u shpreh i emocionuar këngëtari.
Gjithashtu tregoi dhe një histori në koncert kur gruaja e tij ishte bërë xheloze:
“Jo, nuk është bërë xheloze gruaja është e mirëkuptueshme. Një herë në një koncert i thash po vij mbrapa dhe ik ti para. Isha me dy vajza, njëra prej tyre iku dhe mbeta me njërën. Kjo më tha: ‘Po të sheh ajo gruaja, nuk e dinte që ishte gruaja ime. Ndërkohë, më pyeti më pas gruaja se ça të tha ajo vajza. ‘Hic po të thërret gruaja i thashë”, rrëfeu ai.
© Panoramaplus.al
