Deputetja e Partisë Socialiste, Blerina Gjylameti u infektua me COVID-19 në ditët e fundit të shtatzënisë.
Gjatë një interviste së fundmi, deputetja Gjylameti tregoi sesi e përjetoi prekjen nga koroanvirusi. Ajo tha se shumë pikëpyetje i vinin në mendje, duke qënë se është edhe në pritje të fëmijës së dytë.
Deputetja socialiste u shpreh se u këshillua me mjekët dhe mori mjekimin e duhur në bazë të protokollit, duke theksuar se më e rëndësishmja në një situatë të tillë është ruajtja e qetësisë.
“Prej disa ditësh jam negative, por duke marrë parasysh të gjitha këshillat e mjekëve kam dashur të jem më e sigurt përpara se të vazhdoj jetën e përditshme dhe angazhimet në punë.
Në momentet që pret edhe një fëmijë tjetër çdo gjë bëhet edhe më e vështirë për nga pikëpyetjet që ke. Për të gjitha ata që kanë përjetuar infektimin me COVID, ka pikëpyetje pasi është një situatë e re, e panjohur më parë. Dhe kur je në pritje të një fëmijë pikëpyetjet shtohen. Ajo çfarë është e rëndësishme është qetësia, këshillimi me mjekët dhe ndjekja e këshillave që ata japin. Duke qenë se është e panjohur, gjithkush mundohet të të sugjerojë se ç’duhet të bësh, por ajo çfarë duhet bërë është ndjekja e këshillave të mjekëve, protokolleve të mjekimit, sepse në fund janë ato qe të ndihmojnë për ta kaluar sa më lehtë sëmundjen,”– tha ajo e ftuar në emisionin “Rudina”.
Ndërsa rrëfeu edhe simptomat që shfaqi: “Kisha simptoma të lehta, si ngacmimi që më jepte fyti, shpeshherë ngatërrohen dhe me të stinës, ndryshimi i temperaturave të jep idenë sikur po kalon një grip stine, më pas kalova në temperaturë standarde, 37-37.5, e gjitha kjo shoqëruar me pikëpyetjet e rastit, bëri që ti drejtohesha institucioneve për të bërë tamponin përkatës, për të kuptuar nëse isha prekur. Vështirësitë e para qëndronin tek fakti se çdo ndodhte më pas, më shumë sesa shqetësimet e momentit. Kombinuar me faktin nëse ishin problematika të shtatzënisë apo të virusit, kjo bënte që të vështirësohej situata. Ajo që kisha më shumë problem ishte vështirësia në frymëmarrje, kjo bëri që të shkoja në spital për të bërë skaner të mushkërive, ku u vërtetua se ishin prekur. Dhe më pas frika për të mos infektuar të tjerët, qoftë edhe familjarët. Është eksperiencë individuale dhe mënyra sesi e kalon gjithsecili është individuale, dhe ajo që thonë mjekët vërtetohet duke e parë nga afër. Nga njëri tek tjetri asgjë nuk ka ngjashmëri, ka shumë të rinj që e kalojnë rëndë, ka dhe nga ata që e kalojnë lehtë.”
Deputetja Gjylamenti zbuloi se gjatë shtatzënisë së dytë ka shtuar më pak peshë dhe konsumon ushqime të shëndetshme.
Ajo tregoi se ka pasur më shumë neps për kos frutash. Ndërsa për sa i përket rrobave të bebit, tha se do përdorë rrobat e fëmijës së parë pasi për shkak të infektimit me COVID nuk ka pasur mundësi të blejë të reja.
“Pesha është më e paktë, në krahasim me shtatzëninë e parë. Kam ndjekur këshillat e mjekëve për ushqime të shëndetshme dhe më pak brumëra. Përgjithësisht nuk ka qenë një shtatzëni e dytë me neps. Shpeshherë më shkon ndërmend tek kosi me fruta. Nepsin e kam kur nuk jam shtatzënë. Disa gjëra i ka ruajtur mamaja nga djali i parë. Fakti që u infektova në ditët e fundit të muajit të tetë bëri që të mos kisha kohën e duhur për të dalë për të bërë blerjet,”– tha Blerina Gjylameti.









