8 Nëntor, 2025

U dënua me katër vite burg me akuzën shfrytëzim i grave për prostitucion, Diddy Combs kapet duke pirë alkool brenda qelisë! Çfarë pritet të ndodhë me reperin


Reperi dhe producenti i njohur amerikan Sean “Diddy” Combs është kapur nga oficerët duke pirë alkool brenda burgut federal Fort Dix, ku aktualisht po vuan një dënim prej 50 muajsh heqje lirie për akuzat e transportimit të grave për qëllime prostitucioni.

Sipas raportimeve të TMZ, artisti 55-vjeçar u pa nga zyrtarët e institucionit korrektues duke konsumuar një pije të ndaluar me përmbajtje alkooli, e cila ishte përgatitur në mënyrë artizanale brenda burgut. Pija, sipas burimeve, ishte bërë përmes fermentimit të Fanta-s, sheqerit dhe mollëve, një metodë që të burgosurit e përdorin për të prodhuar një lloj alkooli të thjeshtë.

Burime të brendshme bëjnë me dije se, pas konstatimit të ngjarjes, autoritetet e burgut kishin në plan ta zhvendosnin Diddy-n në një krah tjetër, por më pas u vendos që ai të qëndrojë në të njëjtin seksion. Deri më tani, nuk është konfirmuar nëse reperi do të përballet me masa disiplinore, por ngjarja ka ngritur diskutime mbi monitorimin e të burgosurve me profil të lartë në institucione federale.

Vetëm pak muaj më parë, përpara se të dënohej, Diddy kishte dërguar një letër personale drejtuar gjykatës, ku deklaronte se kishte lënë pas varësinë ndaj alkoolit dhe drogës, duke e cilësuar veten “të matur për herë të parë në 25 vjet”.

“Unë i vjetri vdiq në burg dhe një version i ri i imi u rilind. Burgu ose do të të ndryshojë, ose do të të vrasë – unë zgjodha të jetoj,” shkruante ai në letrën e tij drejtuar gjyqtarit. Ai kishte pranuar se 13 muajt e parë të dënimit e kishin “poshtëruar dhe thyer zemrën”, si emocionalisht ashtu edhe fizikisht.

Sean Combs, i njohur ndër vite me emrat P. Diddy, Puff Daddy dhe më vonë Love, është një ndër figurat më të njohura të industrisë së hip-hop-it dhe prodhimit muzikor amerikan. Megjithatë, vitet e fundit ai është përfshirë në një sërë skandalesh ligjore dhe akuzash për trafik, dhunë dhe abuzim seksual, të cilat kulmuan me arrestimin dhe dënimin e tij në vitin 2024.

Ngjarja më e fundit në burg hedh dyshime mbi sinqeritetin e përpjekjeve të tij për t’u distancuar nga abuzimet e së kaluarës, duke vënë në pikëpyetje pretendimet e tij për “rilindje dhe reflektim”.

© Panoramaplus.al