Reperi dhe producenti i njohur si Diddy, Sean “Diddy” Combs, do të lirohet nga burgu më herët se sa ishte planifikuar fillimisht.

Sipas Byrosë Federale të Burgjeve në SHBA, data e re e lirimit të tij është caktuar për 25 prill 2028, duke u zhvendosur nga 4 qershori 2028.
Vendimi për uljen e dënimit vjen pasi Combs u pranua në një program intensiv rehabilitimi nga droga në nëntor 2025.
Sipas përfaqësuesve të tij, ai e ka marrë seriozisht procesin e rehabilitimit dhe është i përkushtuar ndaj zhvillimit personal dhe ndryshimeve pozitive në jetën e tij.
Data e lirimit të tij ishte rishikuar edhe më herët. Në nëntor 2025, dënimi i tij në Burgun Federal në Fort Dix, New Jersey, u zgjat nga 8 maji 2028 në 4 qershor 2028 për shkak të shkeljeve të rregulloreve të burgut.
Në dhjetor 2025, Combs paraqiti një apel duke kërkuar lirimin e menjëhershëm ose uljen e dënimit, duke argumentuar se prokuroria nuk kishte provuar plotësisht akuzat ndaj tij. Avokati i tij e cilësoi dënimin fillestar si të ashpër dhe jokushtetues, ndërsa prokurorët kundërshtuan apelin në shkurt.
Combs ndodhet në burg që nga shtatori 2024, kur u arrestua me akuza të rënda, përfshirë komplot për zhvatje, trafikim personash dhe transportim për qëllime prostitucioni. Ai u shpall fajtor për dy akuza për transportim të personave për qëllime prostitucioni, ndërsa për akuzat e tjera u shpall i pafajshëm.
© Panoramaplus.al
