Autoritetet në Californi po vazhdojnë hetimet pas arrestimit të këngëtares së njohur Britney Spears, e cila dyshohet se ka drejtuar automjetin nën ndikimin e alkoolit dhe të drogës.

Sipas mediave amerikane, ylli 44-vjeçar i muzikës pop u arrestua të mërkurën në mbrëmje (5 mars) në Qarkun Ventura, pasi u pa duke drejtuar në mënyrë të rrezikshme pranë daljes së Borchard Road në Newbury Park.
Automjeti i saj, një BMW kabriolet i zi i vitit 2026, thuhet se kryente manovra të rrezikshme, duke ndërruar vazhdimisht korsi dhe duke frenuar papritur.
Ndjekja nga policia nisi rreth orës 20:13 dhe zgjati pothuajse një orë. Në një regjistrim audio të një telefonate në 911, oficerët përshkruanin lëvizjet e automjetit në kohë reale, duke raportuar manovra të rrezikshme dhe mungesë të dritës së pasme. Pak para orës 21:30, policia arriti ta ndalonte makinën dhe konfirmoi përmes radios se shoferja kishte dalë nga automjeti.
Në vendngjarje, Spears iu nënshtrua një testi për të verifikuar nëse ishte nën ndikimin e alkoolit. Oficerët kërkuan gjithashtu praninë e një specialisti për të vlerësuar nëse ajo mund të kishte përdorur edhe drogë. Sipas autoriteteve, ekziston dyshimi se ajo mund të ketë qenë nën ndikimin e një kombinimi të alkoolit dhe substancave të tjera.
Burime të mediave amerikane raportojnë se gjatë kontrollit në automjet u gjet edhe një substancë e panjohur. Këngëtarja u dërgua më pas në spital për analiza gjaku për të përcaktuar nivelin e alkoolit në gjak, ndërsa rezultatet e testeve toksikologjike priten në ditët në vijim.
Sipas të dhënave të policisë, Britney Spears u dërgua në burgun e Qarkut Ventura në orën 03:02 të mëngjesit të së enjtes dhe u lirua rreth orës 06:07. Ajo pritet të paraqitet në gjykatë më 4 maj.
Pas incidentit, një zëdhënës i ekipit të saj e cilësoi arrestimin si “një incident të pafat”. Ai shtoi se këngëtarja do të ndërmarrë hapat e nevojshëm për të respektuar ligjin dhe për të marrë mbështetjen e duhur gjatë kësaj periudhe.
Sipas të njëjtave burime, në këtë periudhë pranë saj pritet të jenë edhe fëmijët e saj, Sean Preston dhe Jaden, të cilët i ka nga martesa me ish-bashkëshortin e saj, Kevin Federline
© Panoramaplus.al
