Llogaria e Gilbert Gottfried në Twitter dyshohet se u hakërua vetëm disa orë pasi familja e tij njoftoi vdekjen tragjike të komedianit legjendar.

Të martën pasdite, ‘bio’ e yllit të ndjerë u ndryshua duke u kthyer në një llogari që nuk ekziston më në Instagram, e ndjekur nga disa postime të çuditshme në Twitter.
Postimet, pamjet e të cilave u kapën nga ‘Daily Mail’ para se të fshiheshin, përfshinin mesazhe të turpshme dhe promovim të llogarive të ndryshme të OnlyFans dhe porno.

Përdoruesit ndanë menjëherë shqetësimin e tyre me hakerimin e supozuar.
“Njerëzit janë idiotë,” shkroi një person, ndërsa një tjetër shtoi: “Kushdo që hakoi llogarinë e Gilbert Gottfried pasi ai vdiq, ju jeni patetik.”
“Kushdo që ka hakuar twitter-in e Gilbert Gottfried, turp për ju. Është shumë mungesë respekti”, ka shkruar dikush tjetër.
Një përfaqësues i Twitter tha për median se ata “po shqyrtonin këtë situatë por deri më tani nuk kishin parë asgjë që tregonte një vjedhje të mundshëme”.
Kujtojmë se aktori i humorit vdiq në moshën 67-vjeçare nga një anomali në zemër e quajtur takikardi ventrikulare.
Familja e tij njoftoi për vdekjen e aktorit nëpërmjet një postimi në Twitter:
“Gilbert ishte një bashkëshort, vëlla, mik dhe baba i mrekullueshëm për dy fëmijët e tij të vegjël”, thuhej pjesërisht në deklaratë. “Edhe pse sot është një ditë e trishtuar për të gjithë ne, ju lutemi vazhdoni të qeshni sa më shumë të jetë e mundur për nder të Gilbert. Dashuria, familja Gottfried.”


