Në një botë ku ritmi i jetës është i shpejtë dhe stresi është bërë pjesë e përditshmërisë, trupat tanë janë shpesh viktimat e para të emocioneve të pashprehura. Ankthi, lodhja, tensioni dhe madje edhe dhimbjet fizike, janë forma përmes të cilave trupi “flet”, shpesh pa u kuptuar nga ne.

Sipas ekspertëve të shëndetit mendor dhe atij trupor, shumë nga ndjesitë e pakëndshme që përjetojmë nuk janë të rastësishme, por sinjale të mbajtjes së emocioneve të parealizuara. Nofullat e shtrënguara, qafa e ngurtësuar apo nyja në stomak para një dite të vështirë janë mesazhe që trupi dërgon, duke na treguar se është koha për ndalim dhe reflektim.
“Gratë, sidomos, kanë prirjen të durojnë më shumë se ç’duhet, duke mos gjetur hapësirë për të shprehur emocionet e tyre reale. Por trupi nuk harron. Ai i ruan ndjesitë e parealizuara dhe shpesh i shfaq përmes simptomave fizike”, thotë një psikoterapiste që praktikon vetëdijen trupore (somatic therapy).
Lajmi i mirë? Ka mënyra të thjeshta dhe të përditshme për të çliruar stresin e akumuluar – pa pasur nevojë për ndërhyrje të mëdha apo ndryshime drastike në stilin e jetës.
Ja disa nga teknikat më të rekomanduara:
Lëvizje e butë, edhe një tundje e krahëve për 2 minuta mund të ndihmojë trupin të dalë nga gjendja e tensionit.
Frymëmarrje e ndërgjegjshme, të marrësh frymë me vetëdije ndihmon në uljen e nivelit të stresit.
Prekje e butë, një masazh i lehtë ose mbajtja e vetes për pak çaste krijon ndjesinë e sigurisë.
Shprehje emocionale pa turp, të qash, të shkruash ose të flasësh hapur është një formë çlirimi.
Vetëdije trupore, të mbyllësh sytë dhe të dëgjosh trupin pa e gjykuar është një hap drejt lehtësimit të brendshëm.
Ekspertët theksojnë se nuk është e nevojshme të presim deri në rraskapitje për të reaguar. Edhe vetëm 5 minuta në ditë të lidhjes me trupin mund të sjellin një ndryshim të madh – në gjendjen emocionale, energjinë dhe qetësinë e brendshme.
“Trupi nuk të pengon, ai të mbron. Mëso të dëgjosh dhe do të shohësh ndryshimin”, është mesazhi që po përhapet gjithnjë e më shumë mes atyre që praktikojnë vetëdijen trupore në jetën e përditshme.
© Panoramaplus.al
