DJ suedez, i njohur ndërkombëtarisht me nofkën Avicii, i cili ka bashkëpunuar me Madonnën dhe grupin “Coldplay”, është gjetur dje i pajetë në Oman, një ndarje tragjike në moshë shumë të re, vetëm 28 vjeç.

“Është një dhimbje e thellë që ne shpallim humbjen e Tim Bergling, i njohur edhe si Avicii”, tha në një deklaratë menaxherja e tij Diana Baron.

“Ai u gjet i vdekur në Muscat, Oman, këtë të premte pasdite me orën lokale, më 20 prill. Familja është shkatërruar dhe ne i kërkojmë të gjithëve që të tregojnë respekt për privatësinë në këtë kohë të vështirë”, u shpreh ajo.

Avicii njihej si pionier i Muzikës Elektronike, ai ishte një nga DJ-të më të suksesshme në industrinë e muzikës elektronike. Gjatë karrierës së tij, ai mori dy “MTV Music Awards”, një “Billboard Music Award” dhe fitoi dy nominime “Grammy”.
Vetëm disa ditë para vdekjes së tij, Avicii u nominua për një çmim “Billboard Music” për albumin më të mirë , EP-in e tij Avicii (01).
Hitet e tij më të mëdha janë “Levels”, “Wake Me Up,” “Days,” dhe “You Make Me.
Në vitin 2016, Avicii u tërhoq nga jeta aktive në muzikë, pasi kishte përjetuar një sërë problemesh shëndetësore duke përfshirë pankreatitin akut, pjesërisht për shkak të pijes. Dy vite më parë ai i ishte nënshtruar një operacioni, ku kishte hequr tëmthin dhe apandesitin, dhe gjithashtu në atë periudhë kishte anuluar disa nga turnetë e tij, deri sa u përmirësua.
Megjithatë shkaku zyrtar i vdekjes së Avicii nuk është zbuluar ende.
Panorama Plus
© Panoramaplus.al
