17 Nëntor, 2025

Tom Cruise merr për herë të parë çmimin Oscar, aktori nderohet për kontributin e tij 40-vjeçar në kinema


Ylli i Hollywood-it, Tom Cruise, ka marrë çmimin e tij të parë Oscar, duke nderuar 40 vitet e karrierës së tij të pasur në kinemanë botërore.

Ceremonia e 16-të e Governors Awards u mbajt në Ray Dolby Ballroom, ku emrat më të mëdhenj të industrisë së filmit u mblodhën për të festuar kontributin e përjetshëm të personaliteteve të artit të shtatë.

Aktori 64-vjeçar u ngjit në skenë nën tingujt e njohur të kolonës zanore të “Mission: Impossible”, duke marrë duartrokitje të gjata dhe të ngrohta nga publiku. Çmimin ia dorëzoi regjisori meksikan Alejandro González Iñárritu, me të cilin po bashkëpunon në filmin e tij të ardhshëm, i cili pritet të dalë në 2026.

Në fjalimin e tij, Cruise u shpreh: “Të bëj filma nuk është ajo që bëj, është kush jam unë… pavarësisht nga vjen, në një sallë kinemaje qeshim, ndiejmë, shpresojmë së bashku, dhe kjo është fuqia e këtij Arti.”

Ai gjithashtu premtoi të vazhdojë të mbështesë zëra të rinj krijues dhe të mbrojë atë që e bën kinemanë të fortë, duke bërë edhe një shaka tipike të aksionit:

“Shpresoj pa shumë thyerje të tjera kockash.”

Përveç Cruise, çmime nderi iu dhanë edhe aktores Debbie Allen për filmin “Fama”, dizajnerit të prodhimit Win Thomas, dhe këngëtares Dolly Parton, e cila mori Çmimin Humanitar Jean Hersholt për kontributin e saj filantropik dhe bibliotekën që i ka dhuruar më shumë se 300 milionë libra fëmijëve në të gjithë botën.

© Panoramaplus.al