28 Nëntor, 2019

Tërmeti shkatërrues/ Papa Francesko dhuron 100 mijë euro në ndihmë të popullit shqiptar


papa

Papa Françesku ka vendosur të dërgojë një kontribut fillestar në këtë fazë temergjente prej 100 mijë eurosh në ndihmë të popullit shqiptarë, të goditur nga tërmeti i 26 nëntorit.

Lajmin e bëjnë me dije mediat italiane, të cilat shkruajnë se në Shqipëri tërmeti ka shkaktuar dëme të mëdha dhe një numër të madh viktimash.

“Në këtë mënyrë Ati i Shenjtë dëshiron të shprehë afërsinë e tij shpirtërore dhe mbështetjen e tij atërore ndaj njerëzve dhe vendeve të prekura”, thuhet në komunikatë.

Një ditë më parë, Papa Francesco, nga sheshi i Shën Pjetrit ka shprehur solidarizim me popullin shqiptar, pas trërmetit të rëndë 6.4 ballë, që pasoi dhjetëra viktima.

Teksa shpreh ngushëllimet për familjarët e viktimave, Papa thotë se shqiptarët janë populli që ai do shumë, ndërsa Shqipëria ka qenë vendi i parë që ka dashur të vizitojë.

“Dëshiroj t’i dërgoj përshëndetjen dhe afërsinë time popullit shqiptar që ka vuajtur aq shumë këto ditë. Shqipëria ka qenë vendi i parë i Evropës që kam dashur të vizitoj. Jam afër viktimave, lutem për të vdekurit, për të plagosurit dhe për familjet.

Zoti bekoftë këtë popull që e dua aq shumë”, tha Papa.

© Panoramaplus.al