Një javë më parë, aktori i famshëm Liam Neeson bëri një deklaratë të habitshme, kur tha se ka qenë i gatshëm që të vriste një njeri me ngjyrë, në shenjë hakmarrje për përdhunimin e një personi të afërt të tij.

Për këtë arsye, të premten aktori vendosi që t’u kërkonte falje fansave të tij, të cilët u prekën nga kjo deklaratë.
“Gjatë këtyre javëve unë kam reflektuar dhe folur me shumë njerëz që janë lënduar nga rrëfimi im impulsiv, ku thashë se isha i gatshëm që të vrisja një njeri me ngjyrë sepse ai kishte përdhunuar një mikeshën time. Bëhet fjalë për 40 vjet më parë, ku gjatë një interviste rrëfeva atë që më kishte ngjarë”, është shprehur Liam Neeson.

“Tmerri i asaj që i ndodhi mikeshës sime ndezi mendime të paarsyeshme në kokën time, që në fakt nuk përfaqësojnë personin që unë jam. Duke u përpjekur t’i shpjegoj këto ndjenja sot, e humba atë pikë dhe lëndova shumë njerëz, në një kohë kur gjuha është aq e armatosur dhe një bashkësi e tërë njerëzish të pafajshëm u vunë në shënjestër nga aktet e zemërimit tim”, ka shtuar aktori i njohur.
© Panoramaplus.al
