Tensionet arritën kulmin në ditën e 15-të të gjyqit federal ndaj producentit të njohur muzikor Sean “Diddy” Combs, kur një grua e paidentifikuar ndërpreu papritur seancën gjyqësore me një shpërthim emocional, duke hedhur akuza dhe fyerje ndaj të pandehurit.

Gruaja, e cila ende nuk është identifikuar nga autoritetet, shpërtheu në britma pak para hyrjes së jurisë në sallën e gjyqit, duke bërtitur kundër sistemit dhe duke iu drejtuar drejtpërdrejt Diddy-t me fjalët: “Diddy, këta djallëzorë po qeshin me ty!”. Ajo u përball me oficerët e gjykatës, të cilët u detyruan ta largojnë me forcë nga salla pas urdhrit të gjykatësit.

Incidenti ndodhi në një moment delikat, pak para dëshmisë së rëndësishme të Eddy Garcia, një roje sigurie në hotelin luksoz InterContinental në Los Angeles. Garcia dëshmoi se kishte parë një video të tmerrshme ku Diddy shfaqej duke rrahur brutalisht partneren e tij të atëhershme, këngëtaren Cassie Ventura, më 5 mars 2016. Ai gjithashtu rrëfeu se ishte vënë nën presion nga vetë Diddy dhe shefja e stafit të tij, Kristina Khorram, për të fshirë videon. Sipas tij, Combs i kishte premtuar favore nëse do të bashkëpunonte dhe e kishte paralajmëruar se videoja mund ta “shkatërronte” karrierën e tij.
Sean Combs, 55 vjeç, po përballet me akuza serioze për trafikim qeniesh njerëzore, sulm seksual dhe pjesëmarrje në një organizatë kriminale. Prokurorët pretendojnë se ai kishte ndërtuar një rrjet të mirëorganizuar shfrytëzimi dhe dhune ndaj grave, të maskuar pas fasadës së industrisë muzikore dhe jetës së luksit.
Megjithatë, Diddy i ka mohuar të gjitha akuzat dhe ka deklaruar pafajësinë e tij. Nëse shpallet fajtor, ai rrezikon dënimin me burgim të përjetshëm.
© Panoramaplus.al

