26 Gusht, 2025

“Të qëndrosh në dashuri është sfida e vërtetë” – Rrëfehet Harrison Ford për martesën 15 vjeçare me Calista Flockhart


Harrison Ford ka reflektuar mbi martesën e tij 15-vjeçare me aktoren Calista Flockhart, duke theksuar se dashuria nuk njeh moshë, por kërkon përkushtim të vazhdueshëm.

Në një intervistë për emisionin “Wild Card” të NPR, aktori legjendar foli me sinqeritet dhe humor për dashurinë në pleqëri dhe sekretet që kanë mbajtur gjallë lidhjen e tij me Flockhart.

“Edhe të moshuarit mund të dashurojnë. Mendon se të biesh në dashuri është çështje rinie, por të qëndrosh në dashuri është sfida e vërtetë,” u shpreh Ford.
“Është çështje mirëmbajtjeje, kujdesi dhe, në thelb, jo prishjeje të saj.”

Kur gazetarja Rachel Martin e vuri në dukje se kjo kërkon përpjekje të përditshme, ai shtoi me humor:

“Me disa ditë pushim.”

Aktori 83-vjeçar dhe Calista Flockhart festuan 15-vjetorin e martesës në qershor. Dyshja u njohën në Çmimet Golden Globe në vitin 2002, ndërsa në vitin 2010 u martuan zyrtarisht. Flockhart është 23 vite më e re se Ford dhe u bë e njohur me serialin televiziv “Ally McBeal”.

Ford kujtoi gjithashtu martesat e mëparshme, duke thënë me ironi:

“Jam i martuar gjithë jetën time. U martova për herë të parë kur isha 23 vjeç – gjë që duhet të jetë e paligjshme.”

Aktori ka qenë më parë i martuar me Mary Marquardt (1964–1979) dhe më pas me skenaristen Melissa Mathison (1983–2004).

Në një intervistë të mëparshme për revistën “Hello!”, Ford kishte pohuar:

“Jam i dashuruar. Dashuria romantike është një nga llojet më emocionuese dhe përmbushëse të dashurisë, dhe unë besoj se ka potencial për të në çdo fazë të jetës.”

© Panoramaplus.al