Thuhet se “guri është i rëndë në vend të vet” sipas një shprehjeje popullore, por mesa duket nuk paska qenë e njëjtë për të gjithë ne. Shumica mundohen të largohen nga Shqipëria për një jetë të re, më të mirë. Kësaj radhe kemi vendosur që të listojmë disa nga vip-at tanë që zgjodhën të vijonin jetesën e tyre jashtë vendit dhe për më tepër edhe të ndryshonin profesionin e tyre. Kushtet? Jetesa? Mundësitë ekonomike apo vlerësimi i figurës? Ja cilat janë disa nga arsyet që mund të përcaktojnë përfundimisht largimin e shumicës prej tyre.

Hueda El Sayed
Ajo është një nga figurat më të dashura për shqiptarët. Showgirli “përjetësisht e re”, Hueyda El Said prej kohësh tashmë ka vendosur të mos jetojë në vendin tonë. Pak kohë më parë na befasoi teksa deklaroi publikisht se i ka dhënë fund martesës së saj me francezin Michael Tamisier. Çifti i njohur jetonte në Luksemburg dhe ishin bërë prindër të një djali bukurosh të quajtur Gabriel. Sipas Hueyda-s, ata u ndanë pasi bashkëshorti e tradhtoi me një femër tjetër. Një periudhë shumë e vështirë kjo për ish-balerinën shqiptare, por pasi kaloi disa javë e mbyllur vetëm në shtëpi gjeti forcë për të ecur para për vogëlushin e saj. Ndërkohë që mesa duket ajo ka rinisur një jetë të re. Nëpërmjet një postimi në ‘Instastory’ ka bërë të ditur se tashmë ka filluar një punë në një bankë në Luksemburg.

Ledina Çelo
Këngëtarja Ledina Çelo prej vitesh jeton në Gjermani, ku ka ndërtuar jetën e saj bashkë me bashkëshortin e saj, ish-boksierin e njohur Naser Kabashin. Të jetuarit larg i ka dhuruar benefite të shumta këngëtares si: një jetesë më të mirë dhe një të ardhme më të sigurt për fëmijët, por ka pasur edhe vështirësitë e veta. Ndonëse nuk është shumë aktive në muzikë, Ledina është e angazhuar aktualisht me perfeksionimin e gjuhës gjermane, edhe pse di një pjesë të mirë të saj, por jo të tërën. Ndërkohë që në një intervistë të bërë së fundmi ajo ka deklaruar se merret me menaxhimin e biznesit privat, që ka së bashku me bashkëshortin, ku punojnë 500 punonjës. “Unë mbaj kontabilitetin e familjes sime… Punë, punë natë e ditë”,-ka thënë Ledina duke zbuluar për herë të parë që është e angazhuar me biznesin e bashkëshortit, Naim Kabashi në Gjermani.

Vedat Ademi
Këngëtari i njohur Vedat Ademi, brenda një kohe të shkurtër u shndërrua në yllin e adoleshentëve sa i përket baladave të rrokut. “Më mashtruan sytë”, “Koha s’kthehet” ishin vetëm disa nga hitet që e bën Ademin shpejt një nga emrat më të lakuar në muzikë. Gjatë gjithë këtyre viteve ai ka qenë mjaft aktiv sa i përket netëve live në lokalet e ndryshme në Tiranë, ashtu edhe me klipe dhe pjesëmarrje në festivale, duke korrur jo pak suksese. Edhe pse në kulmin e karrierës, Ademi vendosi të largohej së bashku me familjen e tij në Amerikë ku dhe është aktualisht. Nuk dihet nëse do të ketë një rikthim të tij në vend, ose të paktën “një rikthim muzikor”.

Shpëtim Saraçi
Çifti i artistëve, kompozitori Shpëtim Saraçi dhe bashkëshortja e tij këngëtare, Mira Konçi janë larguar nga Shqipëria prej gushtit të 2017. Ata janë zhvendosur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ishte vetë kompozitori Saraçi ai që e dha lajmin e largimit, duke u shprehur i zhgënjyer nga Shqipëria. Kur ata ndodheshin në Shqipëri, veprimtaria e tyre artistike ishte më e rrallë në skenë, por duket se dy artistët janë angazhuar seriozisht në SHBA. Kjo gjë duket edhe në një postim të organizatores së eventeve në Toronto të Kanadasë, Teuta Ajdini Haxhillari. Ajo ka publikuar një foto të Saraçit e Konçit duke punuar dhe fton shqiptarët në SHBA t’i bashkëngjiten eventit. “Artistët e shquar shqiptarë, këngëtarja e madhe Mira Konçi, dhe një nga kompozitorët më të shkëlqyer shqiptarë, Shpëtim Saraçi të ftuar në “Rh Scholarship Event November 18″”.

Adrola Dushi
Është konsideruar një nga modelet dhe miset më të bukura shqiptare, me një bukuri të cilësuar hera-herës si aziatike. Megjithatë bukuroshja Adrola Dushi ka vendosur të shfrytëzojë mundësitë që asaj i jepen në SHBA duke jetuar atje me familjen dhe vogëlushin e saj, Troi. Prej kohësh tashmë ajo është duke provuar “ëndrrën amerikane” dhe për ta ndihmuar po i qëndron pranë fotografi i njohur Fadil Berisha.

Elsa Lila
Elsa Lila është një nga këngëtaret më të dashura të viteve 90-të. Fituese në moshë të vogël e disa festivaleve të Radio Televizionit Shqiptar ajo ishte një figurë e dashur dhe e brishtë. Megjithatë shpesh u largua drejt Italisë ku ka krijuar familjen e saj. Gjatë qëndrimit të saj në vendin fqinj, Lila është aktivizuar me muzikën duke kujtuar këtu pjesëmarrjet e saj në festivalin më të rëndësishëm në Itali, “Sanremo” me këngët “Valeria” dhe “Il senso della vita”, këngë të cilat janë pritur mjaft mirë nga publiku italian. Aktualisht duket se Elsa ka bërë një periudhë pauze nga muzika. Ndërkohë që kujtojmë që ishte një nga të ftuarit specialë të natës së dytë të festivalit të 56-të në RTSH ku fitues doli Eugent Bushpepa me këngën “Mall”.
Lajmin e plotë e lexoni në linkun: http://www.gsh.al/2018/04/11/vip-qe-zgjodhen-te-punojne-jashte-vendit/
© Panoramaplus.al

