Aktorja e njohur Sydney Sweeney dhe kompania e modës American Eagle janë vënë në qendër të kritikave pas publikimit të një fushate reklamuese të re, e cila është akuzuar për përhapje të “aluzioneve raciste” dhe “propagandës naziste”.

Fushata, e titulluar “Sydney Sweeney ka gjene/xhinse të shkëlqyera”, bazohet në një lojë fjalësh midis fjalës angleze genes (gjene) dhe jeans (xhinse), që shqiptohen njësoj. Por kjo qasje kreative është parë si e papërshtatshme dhe potencialisht e dëmshme nga shumë ndjekës në rrjetet sociale.

Në një nga reklamat, aktorja 27-vjeçare shihet duke ecur drejt një billboardi gjigant me portretin e saj, ku më pas fshin me bojë të bardhë fjalën genes dhe e zëvendëson me jeans. Në një video tjetër, ajo shfaqet duke mbyllur xhinset, ndërsa një zë në sfond flet për ndikimin e gjeneve në tipare si flokët, personaliteti dhe ngjyra e syve. Reklama përmbyllet me Sydney-n që thotë:
“My genes/jeans are blue.”
Për shkak të shqiptimit identik të fjalëve, mbetet e paqartë nëse aktorja i referohet xhinseve apo gjeneve.
Shumë përdorues në TikTok dhe Instagram reaguan ashpër, duke e cilësuar mesazhin e fushatës si problematik dhe të ngjashëm me retorikën e “superioritetit gjenetik”, një koncept që lidhet ngushtë me ideologjinë raciste të nazizmit.

“Kur paraqiten vazhdimisht tipare si sytë blu dhe flokët bjonde si të dëshirueshme apo superiore, është e qartë se në ç’drejtim po shkon ky mesazh,” shkroi një përdorues në TikTok.
Të tjerë kritikuan mungesën e diversitetit në ekipin krijues të fushatës.
“Kjo është ajo që ndodh kur në tryezë nuk ka zëra nga kultura dhe përkatësi të ndryshme,” tha një komentues në faqen zyrtare të American Eagle.
Deri në momentin e publikimit të këtij lajmi, as American Eagle dhe as Sydney Sweeney nuk kanë dhënë një deklaratë publike lidhur me akuzat. Ndërkohë, presioni publik për të marrë përgjegjësi dhe për të adresuar shqetësimet është në rritje.
© Panoramaplus.al

