Kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka, ka reaguar me tone të ashpra ndaj ndërhyrjes në ambientet e “Panorama Group”, ku forcat e policisë dhe përfaqësues të shoqërisë “Kayo” ndërprenë sinjalin e televizionit News 24 dhe penguan funksionimin e mediave të tjera të grupit.

Duka e cilësoi këtë veprim si “një cenim të rëndë ndaj lirisë së medias, e garantuar qartësisht nga Kushtetuta” dhe jo thjesht si një sulm ndaj një institucioni mediatik, por si “një dhunim të hapur të së drejtës së qytetarëve për t’u informuar lirshëm dhe pa ndërhyrje”.
“Kjo ndërhyrje nuk ndikon vetëm te një redaksi, por prek jetën e dhjetëra gazetarëve e punonjësve, të cilët, bashkë me familjet e tyre, rrezikojnë të mbeten pa punë, pa të ardhura dhe pa dinjitet. Të ndalësh zërin e lirë dhe t’u mohosh mjetet e jetesës atyre që e mbajnë gjallë, është një veprim që turpëron çdo standard demokratik dhe çdo ndjenjë njerëzore,” deklaroi kreu i PAA-së.
Reagimi i Agron Dukes
Partia Agrare Ambientaliste (PAA)
Mbi ndërhyrjen ndaj “Panorama Group” sh.a. dhe cenimin e lirisë së medias
Partia Agrare Ambientaliste dënon me indinjatë të thellë ndërhyrjen e paprecedentë të datës 9 gusht 2025 ndaj “Panorama Group” sh.a., ku forcat e policisë dhe përfaqësues të shoqërisë “Kayo” sh.a. kanë pushtuar në mënyrë të paligjshme ambientet e kompanisë, kanë ndërprerë sinjalin e News24 dhe kanë penguar funksionimin e mediave të tjera të grupit.
Ky është një cenim i rëndë ndaj lirisë së medias, e garantuar qartësisht nga Kushtetuta. Nuk bëhet fjalë vetëm për një sulm ndaj një institucioni mediatik, por për një dhunim të hapur të së drejtës së qytetarëve për t’u informuar lirshëm dhe pa ndërhyrje.
Pasojat e kësaj ndërhyrjeje shkojnë përtej kufijve të një redaksie: dhjetëra gazetarë dhe punonjës, bashkë me familjet e tyre, rrezikojnë të hidhen në rrugë, pa të ardhura, pa siguri dhe pa dinjitet. Të ndalësh zërin e lirë dhe t’i mohosh mjetet e jetesës atyre që e mbajnë gjallë është një veprim që turpëron çdo standard demokratik dhe çdo ndjenjë njerëzore.
Partia Agrare Ambientaliste qëndron krah çdo mediaje dhe gazetari që punon me integritet për të informuar publikun dhe kundërshton me vendosmëri çdo përpjekje për censurë, intimidim apo bllokim të fjalës së lirë.
© Panoramaplus.al
