8 Janar, 2020

Striptistja që drogonte klientët dhe më pas i grabiste hedh në gjyq Jennifer Lopez për 40 milionë dollarë


Kompania e prodhimit të filmave e Jennifer Lopez është hedhur në gjyq për 40 milionë dollarë. Padia është ngritur nga Samantha Barbash, gruaja që frymëzoi Jennifer të luante rolin e Ramona Vega në filmin e mirënjohur Hustlers të vitit 2019.

Sipas TMZ, ish-striptistja paditi Nuyorican Productions për 40 milionë dollarë me pretendimet se kompania “shfrytëzoi” paraqitjen e saj dhe historinë e saj pa i marrë leje.

Për më tepër, 47-vjeçarja thotë se në film u shpif për të.

Barbash pretendon se producentët e filmit u përpoqën te merrnin pëlqimin e saj për prodhimin e filmit por sipas 47-vjeçares, ajo refuzoi çdo kërkesë të tyre si edhe nuk pranoi të nënshkruajë lejen për realizimin e filmit.

Por pavarësisht kësaj, paditësja shton se kompania e realizoi gjithsesi filmin.

Në një postim në Instagram, Barbash tha se raportimet në media janë të vërteta: “Po është e vërtetë që po i hedh në gjyq dhe prisni sa të shikoni intervistat e mia.”

 

 

Filmi flet për një striptiste, në këtë rast Barbash, e cila drogonte dhe vidhte klientët.

Jennifer Lopez u frymëzua dhe solli historinë e saj në filmin Hustlers.

“Filmi tregon Barbash, në rolin e luajtur nga JLO, si drejtuese e një rrjeti striptistesh që drogonin klientët e tyre dhe u vidhnin shuma të mëdha parash,”- thuhet në padinë e ngritur në gjykatë. “Të pandehurit nuk u kujdesën për të mbrojtur të drejtat e Barash duke krijuar një karakter të trilluar por përkundrazi u angazhuan në një përpjekje sistematike për të bërë të ditur se JLO po luante pikërisht rolin e saj.”

Në padi thuhet gjithashtu se aktorja imitoi edhe akte të striptistes të publikuara nga The Post, përfshirë edhe nxjerrjen e gishtave të mesit për fotografët pasi doli nga gjykata.

Barbash u dënua me pesë muaj provë në vitin 2017 pasi nënshkroi një marrëveshje për pranimin e fajit.

Por striptistja ka hedhur në gjyq vetëm kompaninë e saj të filmave dhe jo vetë aktoren JLO.

 

 

© Panoramaplus.al