Big Mama u ka bërë apel shqiptarëve të kujdesen për shëndetin e tyre në këtë periudhë të vështirë pasi është i vetmi luks që mund të kemi sipas saj.

Këngëtarja dërgoi mesazhin, pasi bëri rrëfimin prekës ku tregoi se viti 2019 ka qenë katastrofik për të.
Ajo u shpreh se para vdekjes së babait nëna e saj përsoi sulm në tru dhe iu paralizua ana e djathtë.
Big Mama tha se sëmundja e nënës e shokoi më shumë sesa vdekja e babait.
“Të them të drejtën unë shumë pak kohë kam patur për të kaluar me prindërit, veçanërisht me babin. Unë profesionin si këngëtare e kam duke udhëtuar dhe kam patur mall për prindërit. Tani që jam në karantinë gjithë kohën me nënën time dhe mendoj dhe them sikur të ishte dhe disa muaj babi gjallë dhe të kalonim dhe ca kohë bashkë.
Ka edhe në anën e mirë sidomos ne që jemi gjithë kohës larg familjes. Shëndeti është një gjë shumë e rëndësishme dhe tani në këtë kohë e kuptojmë. Pasi humba dhe babin tim madje të them të drejtën unë kam patur një vit katastrofik sepse para babait, unë kisha mamin, e cila kishte një sëmundje e cila më shokoi më shumë se sëmundja ose vdekja e babit. Mamaja ime kishte sulm në tru dhe u paralizua ana e djathtë, ka qenë jo funksionale, jam marrë me mamin shumë në spitale të ndryshme në Turqi dhe në vend.
Aty e kam kuptuar se s’ka me shëndetin, sot je shumë mirë, je me këmbët e tua je shumë e fortë, shumë e fuqishme dhe për një sekond mund të biesh përtokë dhe të mos mund as të flasësh, as të lëvizësh. Pas asaj pata dhe rastin e babit dhe tani edhe kjo puna e virusit. Të gjithë jemi me një eufori punë, lekë, vrapo andej, vrapo këndej, të arijmë qejfe, çfarë të veshim, luksin, por qejfi më i madh duhet të kuptojmë se është shëndeti,”- u shpreh ajo në një lidhje në Skype me emisionin “Rudina”.

