Aktori i njohur i humorit, Elvis Pupa, ka reaguar sërish në rrjetin e tij social Instagram, lidhur me akuza që rëndojnë ndaj tij dhe bashkëshortes së tij Belina Pupa, për kultivimin e 43 bimëve kanabisi në një banesë në Ascot Park të Australisë.

Këtë herë përmes një video në Instagram Elvis Pupa, teksa bën një monolog për perfeksionizmin dhe paragjykimet e shoqërisë, thotë se nuk i intereson mendimi i askujt për jetën e tij personale.
Bota prapë të shkel me këmbë dhe e bën me buzëqeshje, të shkel me klas. Nuk e them këtë për miratim, as nuk më intereson mendimi juaj, sepse jeta ime personale është personale. Nuk më keni borxh asgjë e as unë ju. Aspak”, thotë ndër të tjera Elvis Pupa.
Pjesë nga fjala e aktorit në Instagram
“Të gjithë synojnë të jenë perfekt. Unë kam lindur në fund të viteve ’70 dhe të jetoje fëmijërinë tënde në vitet ’80…Gjithmonë na thonin: ‘Mos fol, ha çfarë të kemi vendosur ne përpara. Por atëhere lale, s’kishe shanse të gaboheshe, mos të guxoje të gaboheshe, sepse atëherë nuk ishe njeri, ishe turpi i familjes, turpi i fisit, turpi i shoqërisë, turpi i shkollës dhe turpi i lagjes. Si rrjedhojë, prindërit thonin: ‘Ky nuk është kalamani im. Nuk e kam edukuar kështu unë këtë’.
Prindërit tanë ishin perfeksionist. Ata po. Dhe jo të llojit që thjesht ta mbajnë shtëpinë pastër, se ajo dihet që kur vinin komshinjtë, vinte prova e dy gishtave, që nuk kishte laborator që ja kalonte testimit të tyre se kur ishte hera e fundit që i kishe marrë pluhurat në shtëpi….
Perfeksionizmi nuk është virtyt. Është një helm emocional, po me emër trendi. Nuk është ambicie vëlla. Nuk është sukses, por është një zë brenda kokës që të thotë gjithmonë. Ti nuk je duke bërë akoma mjaftueshëm, pavarësisht se ti ke dhënë gjithçka, edhe shpirtin. Ironia është që prindërit tanë nuk na urrenin, e kundërta.
Ata donin që ne të ishim perfekt që bota të na vlerësonte, mos të na shkelte me këmbë. Po bota prapë të shkel me këmbë dhe e bën me buzëqeshje, të shkel me klas.
Nuk e them këtë për miratim, as nuk më intereson mendimi juaj, sepse jeta ime personale është personale. Nuk më keni borxh asgjë e as unë ju. Aspak!”
Kujtojmë se sipas raportimeve nga mediat e huaja, Belina Pupa u arrestua nga autoritetet australiane, ndërsa aktori u shpall në kërkim, pasi thuhet se është larguar nga Australia, ku ata jetojnë prej vitesh.
View this post on Instagram

Belina Pupa ka dalë në Gjykatën Magjistrale të Adelaide, por ende nuk ka paraqitur ndonjë deklaratë fajësie për dy akuza, një për kultivimin e kanabisit dhe një për ndërhyrje në furnizimin me energji elektrike pa leje.

Të martën më 20 maj, para gjyqtares Natalie Browne, avokati mbrojtjes kërkoi një lirim me kusht për Belina Pupën që t’i lejohej të udhëtonte jashtë vendit për arsye pune.
Kërkesa është refuzuar për shkak të seriozitetit të akuzave, ashtu edhe për shkak se partneri i saj, i bashkëpandehur, është ende në arrati.

“Ne po kërkojmë partnerin e të pandehurës dhe kemi informacione që ai është larguar nga vendi”, thanë gjykatësit.
Gjyqtarja mësohet se shtyu çështjen dhe e la Belina Pupën në liri me kusht që të paraqitet përsëri në gjykatë javën e ardhshme.
“Zonja Pupa është punonjëse sociale dhe terapiste me një biznes ndërkombëtar – ajo punon me klientë në të gjithë botën, kryesisht me prejardhje shqiptare,” tha avokati. “Klientela e saj ndodhet në Shqipëri, Amerikë dhe Australi. Ajo udhëton për rreth tre muaj çdo vit për të qëndruar në Shqipëri dhe zhvillon punën e saj edhe në media”, tha ai.

Sipas dokumenteve të gjykatës, të siguruara nga “The Advertiser”, Pupa dyshohet se ka kultivuar bimët e kanabisit nga data 1 janar deri më 4 prill të këtij viti.
39-vjeçarja ka mbi 80,000 ndjekës në Facebook dhe Instagram, ku poston përmbajtje që synon të ndihmojë njerëzit e të gjitha moshave të përmirësojnë mirëqenien, shëndetin fizik dhe atë psikologjik.

Në faqen e saj zyrtare, ajo përshkruan veten si një person me një përvojë të pasur në drejtimin dhe transformimin e shërbimeve të shëndetit mendor si në Shqipëri ashtu edhe në Australinë e Jugut.

Më tej thuhet se ajo ka qenë profesoreshë e drejtësisë në një universitet në Shqipëri, si dhe ka punuar në SHBA si agjente e pasurive të paluajtshme dhe në sektorin financiar. Po ashtu, ka ushtruar edhe si këshilluese familjare dhe shkollore në Adelaide.


© Panoramaplus.al

