20 Gusht, 2024

Skandali ndaj Bebe Rexhës/ U kërcënua nga agjenti i sigurisë pasi i foli në gjuhën shqipe! Reagon kompania ajrore: Po hetojmë çështjen


Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Bebe Rexha shpërndaru së fundmi në rrjetin social “Instagram” një video duke shpërthyer në lot, sipas saj ajo është “kërcënuar” pasi i foli shqip një agjenti të sigurisë.

Lidhur me këtë ngjarje, Telegrafi ka kontaktuar kompaninë gjermane të fluturimeve, ‘Lufthansa’ me të cilën Bebe Rexha po fluturonte atë ditë, për të kërkuar sqarime. Përfaqësuesit e kompanisë kanë deklaruar:

“Ne kontaktuam drejtpërdrejt Bebe Rexhën të shtunën për të kuptuar situatën dhe jemi duke kryer një hetim të brendshëm mbi çështjen. Si një linjë ajrore ndërkombëtare, ne lidhim njerëzit dhe vendet në mbarë globin. Mysafirët dhe punonjësit tanë vijnë nga e gjithë bota. Diversiteti dhe mundësitë e barabarta janë vlera thelbësore për kompaninë dhe kulturën tonë korporative. Ne nuk tolerojmë asnjë lloj sjelljeje diskriminuese”.

‘Lufthansa’ ka sqaruar se këngëtarja ka hipur në fluturim normalisht dhe në kohë, duke arritur të kthehet në shtëpi.

“Ekziston gjithmonë një kontroll paraprak sigurie për të gjithë pasagjerët që nisen për në ShBA dhe Kanada në Aeroportin e Mynihut, të kryer nga një kompani sigurie para se pasagjerët të mund të hyjnë në zonën e portës. Bebe Rexha duket se u mërzit me njërin nga këta punonjës të sigurisë”, thuhet në përgjigjen e ‘Lufthansa’ për Telegrafin.

Gjatë publikimit të videos Bebe u shfaq duke qarë teksa tha se ajo është refuzuar të fluturojë dhe është trajtuar keq.

“Jam kërcënuar nga Lufthansa sepse mendova se agjenti ishte shqiptar, fola me të në shqip duke e pyetur se ku ta merrja biletën dhe tani po më ndalon fluturimin”, ka shkruar Bebe Rexha në video.

“Unë besoj se ky është një akt urrejtjeje ndaj meje sepse jam shqiptare. Ai nuk më lejoi t’i marr emrin. Vazhdonte të më abuzonte mendërisht për të më bërë të ndihem se ishte më i fuqishëm se sa ishte në të vërtetë. Asnjë nga gratë në @Lufthansa nuk ndërhyri. Ai nuk do të më dha emrin e tij, por sapo zbulova se punon për ATSG, një kompani shërbimesh për kontrollin e dokumenteve, i punësuar nga Lufthansa”, shkroi artistja në InstaStory.

Rexha më pas ndau një lutje nga një përdorues tjetër i Instagramit, duke bërë thirrje që këngëtarja të sillet ‘i sigurt në shtëpi’ nga aeroporti i Mynihut dhe kërkoi një hetim ndaj oficerit mashkull që dyshohet se kërcënoi një grua se fliste shqip.

Shumë fansa kanë kritikuar linjën ajrore online dhe kanë reaguar për situatën, duke e simpatizuar këngëtaren.

© Panoramaplus.al