Ish-mbreti belg Albert II ka pranuar se ai është babai i një vajze të ardhur në jetë nga një lidhje jashtëmartesore.

Ai rrëfeu të vërtetën pasi u detyrua të bënte ADN-në, që doli pozitive.
Prej një dekade artistja Delphine Boël, 51-vjeç, kërkoi që ai të njihej si babai i saj.
Dhe ish-mbreti humbi imunitetin e tij për tu mbrojtur nga ndjekja penale pasi abdikoi nga froni në vitin 2013 për shkak të problemeve me shëndetin.
Avokati i Boël tha se pranimi i së vërtetës nga ish-mbreti ishte një lehtësim.
Në një deklaratë të publikuar të hënën, avokatët e ish-mbretit thanë se rezultatet e ADN-së tregojnë se ai është babai biologjik Delphine Boël.
Ndërsa u shprehën se 85-vjeçari vendosi të ndalonte betejën ligjore, që është zvarritur që nga viti 2013 dhe ai tani pranon që Delphine Boël është fëmija i tij i katërt.
“Jeta e saj ka qenë një makth për shkak kërkimit të identitetit,”- tha avokati i Boël, Marc Uyttendaele.
Ndërsa më pas shtoi: “Kishte një baba biologjik që e refuzoi brutalisht.”
Në maj të vitit të kaluar, gjykata e apelit në Bruksel vendosi që ish-mbreti të dënohej me 5.000 euro në ditë për refuzimin e bërjes së testit të ADN-së.

Thashethemet se mbreti kishte një fëmijë të paligjshëm fillimisht u shfaqën në vitin 1999 në një biografi të paautorizuar për gruan e tij.
Akuza nxiti një skandal mbretëror dhe thashetheme në mediat në Belgjikë.
Boël pretendoi se Mbreti Albert ishte babai i saj biologjik gjatë një interviste në 2005.
Nëna e saj, Baronesha Sybille de Selys Longchamps, tha se ajo dhe ish-mbreti kishin një lidhje mes viteve 1966 dhe 1984 kur ai ishte ende Princi Albert i Liège.
Pas vdekjes së vëllait të tij më të madh në vitin 1993 në moshën 62 vjeçare, ai erdhi papritur në fron.
Ai e mbajti pozicionin deri në korrik 2013, kur njoftoi abdikimin e tij për shkak të problemeve shëndetësore dhe u zëvendësua nga djali i tij, Philippe.
Albert thuhet se merr të ardhura vjetore deri në 1 milion euro.
Menjëherë pas largimit të Albert nga froni, Boël filloi procedurat gjyqësore.
Vitin e kaluar, ai refuzoi të zbatonte një urdhër gjykate të vitit 2018 për t’iu nënshtruar testit të ADN-së.
Belgjika ka një monarki kushtetuese në të cilën mbreti luan një rol kryesisht ceremonial.
Ish-mbreti është martuar me italianen Donna Paola Ruffo di Calabria në vitin 1959. Ata kishin dy djem dhe një vajzë.
© Panoramaplus.al
