
Festivali i Filmit në Kanë ka dhënë një deklaratë ku i bashkohet bojkotit kulturor rus duke thënë se nuk do të pranojë ‘’delegacionet ruse’’ në edicionin e tij të 75-të këtë maj.
Në këtë deklaratë të lëshuar të martën nga organizatorët Kana shprehu solidaritetin me Ukrainën ku thuhet se “Festivali i Kanës dëshiron të japë të gjithë mbështetjen e tij për popullin e Ukrainës dhe të gjithë ata që janë në territorin e saj.”
“Sado modeste që të jetë, ne i bashkojmë zërat tanë me ata që kundërshtojnë këtë situatë të papranueshme dhe denoncojnë qëndrimin e Rusisë dhe liderëve të saj.”. Ndërsa delegacionet ruse janë të ndaluara, festivali ka lënë të kuptohet se kineastët individualë mund të jenë ende të mirëpritur në festival, megjithatë, është ende e paqartë nëse filmat e tyre do të përzgjidhen për konkurrim në festival.
“Gjatë këtij dimri të vitit 2022 Festivali i Kanës ka hyrë në fazën përgatitore. Nëse lufta sulmuese nuk përfundon në kushte që do të jenë me popullin ukrainas, është vendosur që ne të mos mirëpresim delegacionet zyrtare ruse dhe as të pranojmë praninë e askujt lidhur me qeverinë ruse”, thuhet në deklaratë.
Gjithashtu Festivali përshëndeti “guximin e të gjithë atyre në Rusi që kanë marrë rreziqe për të protestuar kundër sulmit dhe pushtimit të Ukrainës”, duke përfshirë artistët kineastët “të cilët nuk kanë rreshtur së luftuari kundër regjimit bashkëkohor’’.
Sjellim në vëmendje se dje, Festivali i Filmit në Glasgow tërhoqi dy tituj rusë nga programi i tij këtë muaj, ndërsa Stokholmi tha se nuk do të shfaqte asnjë film të financuar nga shteti rus këtë vit nëse situata nuk përmirësohet. Po ashtu Disney bllokoi shfaqjen e filmave në Rusi.
© Panoramaplus.al
