Videoja virale që u shpërnda me shpejtësi në rrjet se reperi Don Xhoni (Xhonatan Isufi nga Drenica e Kosovës) u rrah në mes të Tiranës nga reperi tjetër, Finem (Klejdi Dogjani, 22 vjeç, nga Tirana) është sqaruar më në fund nga viktima e vërtetë e asaj rrahjeje, reperi i ri, Santi.
Miku dhe bashkëpunëtori në këngë i Devis Xherahut ka sqaruar të vërtetën me një video, duke treguar se i rrahuri në mes të Tiranës nuk ishte Don Xhoni, po ai vetë.
Ndër të tjera, Santi tregoi se është gjendur para një prite të rrezikshme të 7 djemve me në krye Finemin, në muajin nëntor, pasi ai kishte qenë i ftuar në “Zonë e lirë” të Arian Çanit. Arsyeja e rrahjes në grup në mes të Tiranës, sipas tij ka qenë krejtësisht banale, për shkak të një videoje në “Tik-Tok”. Ndërkohë, kjo video e rrahjes sipas tij është publikuar nga Finem në kulmin e famës së Don Xhonit, për të marrë famë nga fama e tij.
Direkt pas publikimit të videos, Don Xhoni e mohoi lajmin të ishte rrahur nga Klejdi Dogjani, i njohur si Finem në Tiranë. Përmes një video-live në “Instagram”, Don Xhoni zbuloi se nuk ishte në Tiranë, por në vendlindjen e tij në Drenicë, ku u pa se është në gjendje të mirë shëndetësore dhe pa shenja në fytyrë. Edhe Finem doli live, i cili e la të nënkuptohej duke thënë se “sa rrahim ne përditë, nuk mbajmë mend kush mund të jetë ai në video”.
Ndërkohë, i riu me emrin Santi ka sqaruar se ai vetë ka qenë i përfshirë në rrahje dhe se pamjet nga vendi i ngjarjes ishin bërë para tre muajsh, kur ai thotë se kishte ndodhur rrahja. “Lajmet që kanë dalë mbrëmë rreth sherrit të Finemit dhe Don Xhonit janë jo 100%, po 1000% fake.
Ai në makinë kam qenë unë, ai sherr ka diku 3 muaj që ka ndodhur”, ka sqaruar ai. Sipas tij, arsyeja që në rrjet qarkulloi emri i Don Xhonit është për shkak se ai është bërë shumë i famshëm kohët e fundit dhe kanë tentuar të marrin nga fama e tij e duke e përfshirë në këtë ngjarje, për të cilën ka tërhequr edhe denoncimin në Gjykatë.
“Unë jam Santi. Doja t’ju sqaroja diçka. Lajmet që kanë dalë dje janë fake, kam aq këllqe sa për të pranuar se ai në makinë jam unë. Kam qenë i ftuar tre muaj më parë te ‘Zonë e lirë’. Më kanë zënë prit. Nuk është turp me u rrah nga 7 veta. Arsyeja kryesore që nuk kam reaguar deri sot është që nuk kam dashur që të marr vëmendje apo famë. Fiks nesër më ka telefonuar vëllai i Finemit për të tërhequr denoncimin. Gjithë kjo ka ndodhur për shkak të një videoje në “Tik-Tok”. Kallëzimin e kam tërhequr meqë e mbyllëm muhabetin. Arsyeja pse ka ndodhur kjo, është se ka parë Don Xhonin, donin ta shfrytëzonin për vëmendje. Ma keni sqaruar se ajo video nuk ka për të dalë, prandaj e kemi mbyllur si muhabet. Ajo që më është bërë, nuk ka për t’u falur! Sot po reagoj sepse po bëhet padrejtësi. Duke parë Don Xhonin që është bërë viral, nxorën videon për të marrë pak nga fama atij. Do t’ju ndjek penalisht. Kam fakte e mesazhe, do t’i nxjerr edhe ato. Nëse doni vëmendje, jua jap unë. Faktet dhe provat do t’i keni në vazhdim”, u shpreh ai.
Artisti i ri nga Drenica, Don Xhoni, u bë i famshëm brenda natës gjatë karantinës, kur u prezantua me një free style në emisionin “Gjoni Black”. Nga shumë pak ndjekës në “Instagram”, ai sot numëron afër 200 mijë ndjekës për një periudhë shumë të shkurtër. Por çfarë vjen pas kësaj fame, me kë do të bashkëpunojë ai, kush po e menaxhon atë, cilat janë planet e tij dhe shumë gjëra të tjera rreth Don Xhonit, ai i ka rrëfyer në intervistën e parë për emisionin “NIN”.
Lind pyetja: Kush është Don Xhoni, fenomeni i ri në muzikë? Ai këndon kryesisht hiphop dhe tashmë ka hyrë fuqishëm në konkurrencën e tregut muzikor. Më datë 5 tetor 2018, Don Xhoni publikoi videoklipin “Jena me ekip”, me tekst të shkruar nga vetë ai. Në qershor 2019, ai publikoi videoklipin “Ajo don”, me tekst të shkruar nga vetë ai dhe produksion të K-Master. Tashmë Don Xhoni po përpiqet të menaxhojë si duhet famën brenda natës.
Pak javë më parë, “freestyle” i famshëm i Don Xhonit u publikua në faqen e “Ellen Tv Show”, e cila i përket moderatores së njohur Ellen DeGeneres. Ky “freestyle” është përdorur edhe nga qindra mijëra përdorues në videot që realizojnë në “Tik-Tok”, duke u bërë viral në rrjet.
Së fundmi, miliarderi dhe playboy i famshëm italian, Gianluca Vacchi, ka përdorur pikërisht këtë melodi në sfond të videos që publikoi fillimisht në “Tik-Tok” e më pas edhe në “Instagram”-in e tij. Ai shfaqet duke kërcyer pranë veturës së tij luksoze “Royce Rolls”.







