Artistët që na kanë përfaqësuar çdo vit në Eurovizion kanë qenë ndër emrat dhe zërat më të mirë të Shqipërisë, e pavarësisht pozicionimit që kanë mundur të marrin në fund të këtij festivali (e shpesh nuk janë vlerësuar aq sa kanë merituar), ata na kanë bërë krenarë me performancat e denja.
Por këtë vit shqiptarët duhet të krenohen edhe më shumë!
Jo një, por tre shqiptar do të pushtojnë skenën e Eurovizionit duke treguar se talenti nuk njeh kufij.
Eleni Foureira, është shqiptarja nga Fieri e cila mundi të rrëmbente çmimin e parë për të përfaqësuar Qipron në Eurovizion. Ajo njihet si një ndër këngëtaret më të mira në Greqi, dhe vlerësimet i kanë ardhur jo vetëm për zërin, por edhe për këngët e bukura e po aq shumë edhe për perfomancat energjike, duke mos harruar bukurinë e saj që gjithnjë është vënë në pah.
Por duket se ky vit ka qenë i shqiptarëve…
I dyti është Ermal Meta, i cili edhe pse që në nisje të “Sanremos” u sulmua duke u akuzuar se kënga e tij dhe e Fabrizio More ishte plagjiaturë, çka solli edhe pezullimin e përkohshëm të tyre nga gara, sërish arriti që të dalë në krye dhe të triumfojë mbi këngëtarët e tjerë italianë. Kështu Ermali, një tjetër shqiptar nga Fieri, shkon në Eurosong përkrah “patriotes” së tij, Elenit.
E ndërsa Shqipëria do të përfaqësohet nga zëri brilant i këngëtarit Eugent Bushpepa, i cili gjithë ka dalluar për stilin e veçantë dhe zërin karakteristik të tij, e me një karrierë të gjatë e të pasur artistike.
Tashmë nuk na mbetet gjë tjetër veçse të presin netët e Eurosong, i cili këtë vit do të mbahet në Portugali, për të shijuar perfomancën e tre shqiptarëve të njohur e për t’u uruar fat!
Panorama Plus
© Panoramaplus.al
