14 Shtator, 2018

Shpat Deda bashkëpunon me këngëtaren britanike, e bën të këndojë shqip (VIDEO)


Shpap Deda është i njohur për zërin dhe stilin e tij të veçantë të të bërit muzikë. E mesa duket ai ka tërhequr edhe vëmendjen e këngëtares së njohur britanike Joss Stone.

Kjo e fundit është takuar me këngëtarin shqiptar gjatë vizitës së saj në Kosovë në vitin 2016. Madje ata kanë realizuar edhe një bashkëpunim i cili është xhiruar në Prishtinë.

Këtë moment të bukur e ka kujtuar këngëtarja e njohur nëpërmjet një postimi në profilin e saj në “Instagram”. Stone ka publikuar një video ku ajo këndon së bashku me Dedën.

Bashkëngjitur me videon, ajo ka vlerësuar Shpatin për zërin e tij karakteristik. Gjithashtu në video Joss shihet se mban në duar një bllok, në të cilin është i shkruar teksti i këngës “Kosovo” në gjuhën shqipe. Artistja jo vetëm këndon në shqip, por në fund të videos thotë edhe ‘faleminderit’.

“Mbrëmje e bukur në Kosovë në 2016-n, ku u takuam me kantautorin Shpat Deda. Shumë prej këngëve të tij janë të bazuara në ndjenja dhe ngjarje të vërteta, dhe me një muzikë si kjo është e pamundur të mos shprehësh emocion. Me zërin e tij karakteristik dhe harmonitë e këndshme, ishte moment perfekt për këtë pjesë të Total World Tour. Një bashkëpunim i këndshëm me një person të këndshëm. Shpresoj t’ju pëlqejë”, ka thënë Stone.

Panorama Plus

© Panoramaplus.al