29 Maj, 2018

Sherri mes kunatave, Nora Istrefi dhe Tuna Sejdiu, ndan për së gjalli vëllezërit Berisha


Lajmet se këngëtaret Tuna Sejdiu dhe Nora Istrefi nuk shkojnë më me njëra-tjetrën, kanë një vit që qarkullojnë në media, por pasditen e së premtes, më në fund, e konfirmoi edhe vetë Robert Berisha, bashkëshorti i Nora Istrefit dhe kunati i Tunës. Dyshimet rilindën pas ditëlindjes së parë të Tianit, nipi i Robertit nga martesa e vëllait të tij Patris me këngëtaren nga Maqedonia.

Në festën e madhe që ata organizuan për djalin, ra në sy mungesa e xhaxhait të tij, Robertit, por edhe Norës. Mediat ngritën pyetjen: “Pse mungoi Robert Berisha dhe Nora Istrefi në këtë festë familjare?”, së cilës Roberti iu përgjigj me diplomaci ato ditë, se ata kishin qenë në një udhëtim për koncert. Por, mesa duket, kjo nuk ka qenë arsyeja e vërtetë e mungesës së tyre. Përgjigjen pyetjes e dha dje Roberti te “Rudina”. Edhe pse u mundua ta justifikonte sërish mungesën e tij dhe të Norës në ditëlindjen e parë të nipit, ai vendosi të flasë më në fund.

Pasi Rudina e pyeti nëse takohen me Tunën, Roberti mohoi, por me një përgjigje që nuk pritej: “Me Tunën jo dhe as nuk dua të takohem më!”, tha Roberti në formë të prerë. Habisë së Rudinës dhe të gjithë publikut që e dëgjoi, Roberti i detyrohej një justifikim, sipas “Express”.

Sipas tij, “Nora nuk ka pasur kurrë probleme me personazhe të showbiz për të gjitha vitet e karrierës së saj. Ajo ka shkuar gjithmonë mirë me të gjithë, në 15 vite karrierë dhe madje ka shumë fansa. Tuna, nga ana tjetër, ka probleme me të gjithë. Tuna ka probleme me të gjithë, të gjithë janë gabim, vetëm ajo është në rregull… I kërkoj shumë falje Patrisit, por për të dhe për Tianin, edhe jetën e jap! Më vjen keq që i mungova në ditëlindjen e Tianit dhe po ashtu më vjen keq që do t’i mungoj në të gjitha ditëlindjet që do të vijnë…” tha Roberti, duke shtuar se do që pas këtij programi, të marrin fund një herë e mirë thashethemet. Ai, Patrisi dhe Tiani do të takohen gjithmonë, por Tuna nuk do të jetë. As Nora nëse është ajo…”, deklaroi Roberti.

Si dy këngëtare të njohura të botës së showbiz-it, kujtojmë që Nora Istrefi dhe Tuna Sejdiu dikur kanë qenë shoqe të ngushta, fakt që vërtetohet me një kërkim të thjeshtë në “Google”, nga ku do të dalin fotot e tyre, duke shijuar jetën e natës. Papritur, miqësia e tyre u prish, kur Nora u bë e dashura dhe gruaja e Robert Berishës, ndërsa Tuna, gruaja e ish-burrit, Rilind Reka. Distanca e tyre vazhdoi gjatë deri para pak kohësh kur Tuna nisi të shoqërohej me kunatin e Norës, Patris Berishën.

Shumë shpejt Tuna u bë nuse në familjen Berisha në Prishtinë, arsye kjo që e bëri të riafrohej me Norën, pranë së cilës u pa në darkën që shtroi me mikeshat në Tiranë, Elvana Gjata. E nuk zgjati shumë kjo miqësi, pasi një vit më parë mediat e Kosovës folën për sherr kunatash në showbiz. Nora dhe Tuna papritur nuk e ndiqnin më njëra-tjetrën në “Instagram”, ndërkohë që nuk dihet arsyeja e këtij konflikti shumë të rëndë familjar.

PANORAMA PLUS

© Panoramaplus.al