Johnny Depp ka folur për fëmijërinë e tij të trazuar teksa dëshmoi të martën në seancën e radhës gjyqësore kundër ish-bashkëshortes Amber Heard.

Aktori 58 vjeçar tha se nëna e tij e ndjerë Betty Sue Palmer ishte “e dhunshme” dhe “mizore” me të. “Abuzimi verbal, abuzimi psikologjik, ishte më i keq se rrahjet. Rrahjet ishin vetëm dhimbje fizike. Me dhimbjet fizike mësohemi të përballemi.”, tha Depp. Në rrëfimin e tij Depp tha se e ëma e kishte goditur me tavëll, këpucë dhe telefon, teksa shtoi se nëna e tij ka qenë një nga njerëzit më mizor.
Depp tregoi se babai i tij ka qenë një njeri shumë i sjellshëm, i qetë dhe i turpshëm dhe jo një person konfrontues. Aktori tha se edhe kur nëna e tij e sulmonte, i ati ka qëndruar gjithnjë i qetë dhe “nuk ka pasur asnjë moment që babai im të humbiste kontrollin dhe të sulmonte nënën time ose të godiste nënën time apo edhe t’i thoshte një gjë të keqe”.
Rrëfimi i yllit të ‘Pirates of the Caribbean’ vjen një javë pasi motra e tij Christi Dembrowski dëshmoi në gjykatë se ishte abuzuar nga Palmer. Kur u pyet nëse Depp e ka sulmuar ndonjëherë nënën e tij kur ajo kishte abuzuar, Dembrowski tha, “Jo. Ai nuk shkoi kurrë në atë pikë”.
Duke folur para trupit gjykues, Depp tha se e vërteta është gjithçka që ka rëndësi për të tani dhe se pretendimet e Heard për abuzim shkatërruan çdo gjë që ai kishte në Hollywood. “Unë kurrë nuk e godita Heard, as nuk kam goditur ndonjë grua në jetën time. Kanë qenë gjashtë vite të vështira – kaq e çuditshme kur një ditë je Hirushja, si të thuash, dhe më pas në 0.6 sekonda, je Kuazimodo” tha ai, duke përshkruar se si ndryshuan qëndrimet e njerëzve ndaj tij pas deklaratave të Amber.
Keenan Wyatt, ka dëshmuar gjithashtu sot gjatë gjyqit dhe tha se Amber u bë “papritmas agresive” kur ai i kishte thënë asaj se Depp kujdesej për të. Sipas Wyatt, Heard i kishte bërtitur: “Si guxon të flasësh me mua” pasi ai u përpoq të fliste me të gjatë një fluturimi privat. Në një moment, Wyatt tha se ai u afrua tek ajo dhe i tha diçka në kuptimin “Ti e di se ai kujdeset për ty“. Dhe krejt papritur ajo kishte filluar t’i bërtiste.
“She started yelling at me, ‘How dare you talk to me!'”
Keenan Wyatt, a sound engineer who worked with #JohnnyDepp, testified that #AmberHeard was rude to him on a flight from Boston to LA.
WATCH #CourtTV LIVE – Johnny Depp to Testfiy – https://t.co/tnYdPcDRMU pic.twitter.com/xJTByz5Uwl
— Court TV (@CourtTV) April 19, 2022
Pse Johnny Depp po padit Amber Heard?
Për një periudhë, gjithçka dukej mirë mes ish-çiftit. Por më pas në dhjetor 2018, Heard shkroi një artikull opinioni në ‘The Ëashington Post’, duke përshkruar përvojën e saj si një “figurë publike që përfaqëson abuzimin në familje”.
“Ndjeva zemërimin e madh të shoqërisë sonë ndaj grave që flasin. Kisha një mundësi të rrallë të favorshme për të parë, në kohë reale, se si institucionet mbrojnë burrat e akuzuar për abuzim.” – shkruante mes të tjerash ajo.
Amber nuk e përmendi me emër ish-bashkëshortin apo ndonjë autor tjetër të dyshuar, por sipas ankesës së Depp-it, ajo ka dëmtuar karrierën dhe reputacionin e tij.
“Deklarata e saj se Depp është një dhunues në familje është kategorikisht dhe dukshëm i rremë,” -shkroi avokati i yllit në ankesë. “Akuzat e saj janë pjesë e një mashtrimi për të gjeneruar publicitet pozitiv për dhe për të çuar përpara karrierën e saj.”
© Panoramaplus.al
