Një ndër sloganet që ka rënë më shumë në sy dhe që ka bërë xhiron e rrjeteve sociale me rastin e 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, ka qenë ai që i dedikohej vajzave kosovare që kanë arritur sukses përtej kufijve të vendit të tyre.

Slogani i shumëpërfolur është “Bac, çikat na e zbardhën ftyrën!”, ndërsa në logon e tij shihen dy këngëtaret me famë botërore Rita Ora e Dua Lipa si dhe sportisten Majlinda Kelmendi.
Por përjashtimi i artistes Era Istrefi nga logoja duket se nuk është pritur mirë nga familjarët e këngëtares, e veçanërisht nëna e saj, Syzana.

Në një prononcim për “Gazeta Express”, nëna e Erës është shprehur se e bija është vlerësuar në të gjithë botën dhe se suksesi i saj është i pakrahasueshëm me të të Ritës dhe Duas pikërisht për faktin se Era vinte nga një vend i vogël si Kosova.

“Njerëz shumë më të mençur se ata që e kanë dizajnuar/ shkruar edhe se unë, e kanë shti Erën në listën e personave më të suksesshëm shqiptar, e ata që nuk e kanë shti hiç nuk është problem. Jeta është e gjatë. Suksesi i Erës është i pakrahasueshëm edhe me të Ritës edhe me të Duas. Pse është i pakrahasueshëm sepse e dimë të gjithë. Prej një vendi të vogël një sukses që e ka arrit Era, deri sot nuk e ka arrit asnjë artist, asnjë artist i filmit as muzikës popullore, as pop, ama bash kërkush. Dua dhe Rita kanë arritur shumë po prej një vendi që është njëri prej vendeve ma me perspektivë dhe ma të zhvilluam në botë. Unë jam ajo nëna më krenare në botë që asnjë nënë nuk e ka përjetuar suksesin e fëmijës të vet si unë”, është shprehur nëna e këngëtares.

Sakaq, autorët e logos së shumëpërfolur janë shprehur se Era nuk është pjesë e saj sepse ata kanë gjykuar që për sa i përket muzikës, Era nuk është e të njëjtit kalibër si Dua dhe Rita.
PANORAMA PLUS
© Panoramaplus.al
