Për një artist plot ndjeshëri, karantina nuk ndryshon nga hekurat e një burgu, ndaj ai ka realizuar dy video ku reciton fjalët që shpirti s’mundet t’i shprehë e ku gjithkush ka gjetur veten.

Pas filmit “Delegacioni” dhe rolit që ka fituar në një film italian, aktorin Denardo Neziri do ta shohim si fillim në skenat e “Gjirokastra”, ku rrëfehet për herë të parë në kinema historia e Enver Hoxhës me Nexhmijen.
Ish-konkurrenti i programit të çifteve “Përputhen”, në këtë intervistë për “Panorama Plus” zbulon arsyen e largimit nga programi dhe emocionet që e lanë pa gjumë ndërsa xhironte për filmin e diktaturës krah Tinka Kurtit.
Ke publikuar dy video këtë periudhë të vështirë pandemie, me qëllimin për të dhënë mesazh për jetën. Pse zgjodhe pikërisht ato vargje për t’i recituar?
Denardo Neziri: Po, është e vërtetë që kam realizuar video ku interpretoj poezi me temë moraliste. Në fakt, unë e dua shumë poezinë, se është ndenja e dashurisë në të . E kisha nevojë të brenshme që të bëja diçka që t’i shërbejë shoqërisë në këtë periudhë të pandemisë botërore, në mënyrë që të reflektojmë sadopak e të ndërgjegjësohemi. Ky ishte motivi dhe jam shumë i kënaqur se i kanë pëlqyer shumë, kushdo që i ka dëgjuar. Kur nisi izolimi, doja të bëja diçka me disa kolegë të mitë, por nuk u realizua. Por Fabio Seferi, që është dhe regjisori me të cilin xhirova, u tregua tepër bashkëpunues dhe e falënderoj që bëmë një punë modeste, por me vlerë shumë të madhe.
Kur e mendon, me cilën shfaqje teatrale të ngjason jeta në karantinë?
Denardo Neziri: Më ka marrë malli për teatrin. Por është një shfaqje shqiptare, “Hekurat” titullohet , e luan mjeshtri i madh Ndriçim Xhepa. Ai ka rolin e një shkrimtari me shpirtin e lirë, që është izoluar nga sistemi dhe proteston me këtë realitet. Me atë më ngjason.

Si mund të hapej dhe të mbyllej monologu në karantinë i një artisti me shpirt të lirë?
Denardo Neziri: Monolog me veten bën gjithë kohës kur je në karantinë, sidomos artisti që është një qenie shumë e ndjeshme dhe ka nevojë për t’u shprehur. Di të them që monologu i artistit është ndjenja më sublime …. Unë e kam monologun tim, kur i them vetes: “Sa bukur ishin ato vite kur s’kishim bukë dhe hanim simite”. (Qesh)
Të kemi parë edhe në ekran si një nga djemtë e programit të çifteve “Përputhen”. Për cilën nga vajzat kishe interes, si ishte të kishe njohje në tv, në sy të publikut?
Denardo Neziri: Po, isha pjesë e “Përputhen”, me ftesë të vetë autores dhe produksionit. Jam kurioz të njoh fusha të tjera në jetë, veç profesionit tim dhe kjo ishte arsyeja pse mora pjesë, pasi për mendimin tim, asnjë eksperiencë nuk të bën keq. (Qesh) Bëj shaka, por kjo mund të kishte vlerë në kohën kur s’kishte karantinë. Sa për pyetjen, nuk besoj te njohjet që bëhen në televizion. Më duket shtirje, sepse njeriu në jetë është i mbushur me shumë aktivitet dhe natyrshëm krijohet mundësia e njohjes dhe pëlqimit. Kuptova që nuk jam tipi mediatik që vesh kostimin e klounit dhe i tregon shoqërisë: “Ja kush jam unë”. Jo, jo. Kjo ishte arsyeja që shkova e u largova, sepse u gjenda mes dy dallgëve: ose shkollën, ose emisionin dhe kështu zgjodha shkollën, ndërkohë që prisja edhe të xhiroja për filmin “Gjirokastra”.
Ke kureshtjen për të ndjekur konkurrentët tani që s’je pjesë e formatit dhe si po duken çiftet?
Denardo Neziri: Jo, unë nuk e ndiqja programin “Përputhen” as ato 3 javë që isha vetë pjesë, jo më tani. Jo, jo, nuk para shoh emisione, vetëm “Opinion in” e Blendi Fevziut ndjek. Ndërkohë si aktor ke provuar eksperiencë vërtet të bukur në filmin “Gjirokastra”.
Çfarë roli kishe dhe si u bëre pjesë e kastit?
Denardo Neziri: Te filmi me metrazh të gjatë me titull “Gjirokastra” kam gati 3 vjet që pres realizimin e tij. Kam ndjekur audicionet që u zhvilluan në Akademinë e Arteve, mes shumë figurash të shquara të skenës dhe ekranit. Por para disa kohësh që filloi përsëri audicioni ndodhesha në Akademi, kur më telefonoi asistent-regjisori. Në një moment m’u duk e pabesueshme dhe bërtita me të madhe në korridor (Qesh). Të nesërmen që do të shkoja në audicion kisha shfaqje në Teatrin Eksperimental dhe mbërrita pak me vonesë, diku te 5 minuta.
Fryma më merrej se bëra njëfarë rruge me vrap. U prezantova mregjisorin, bëmë një intervistë të shkurtër dhe i interpretova një monolog, sepse ma kërkoi. Bëra monologun e një djali të çmendur dhe u zhvesha gati lakuriq. (Qesh). Fundja, audicioni është prezantimi ynë dhe duhet të jesh i gatshëm për çdo rrethanë. Regjisorit rus, Juri Arabov, i pëlqeva shumë, kështu më tha: “Mirëserdhe në film! “ U entuziazmova shumë, sepse doja vërtet të punoja në atë film dhe me atë produksion shumë korrekt dhe profesional.
Kisha rolin e animatorit, sepse në Gjirokastër kanë tradita dhe zakone si çdo krahinë e Shqipërisë. Kur mbanin dasmat, i zoti merrte edhe personazh gazmor që të organizonte ceremoninë, të bënte aheng, të ironizonte dasmorët e të luante me ta.Ky ishte roli im i animatorit.

Si e përjetove të ishe pjesë e filmit të parë artistik me protagonistë Enver Hoxhën dhe Nexhmijen?
Denardo Neziri: T’ju them të drejtën, e kam përjetuar me shumë përgjegjësi të madhe. Më dukej sikur do ndërtoja një pallat të madh shumë, prej kartoni. (Qesh) Dua të them që ishte vërtet përgjegjësi dhe puna ime me rolin nisi që në momentin që fitova audicionin. Sapo mora skenarin në dorë, nisa direkt me analizën. Sepse filmi fliste për Shqipërinë në marrëdhënie me Bashkimin Sovjetik, Shqipërinë e regjimit komunist, kështu që m’u desh të informohesha shumë mbi këtë histori dhe mbi të gjitha për Gjirokastrën. Kjo për faktin se personazhi që do të luaja ishte gjirokastrit, ndaj m’u desh të lexoja e të shihja shumë dokumentarë, që të njihja mirë diktatorin. Kështu që nuk shkova as në shkollë. Kjo më penalizoi. (Qesh)
Kishe dialog me Enver Hoxhën në film, që interpretohet nga Neritan Liçaj?
Denardo Neziri: Nuk kisha dialog me Enverin, por përjetoja ndjesinë e të mosshprehurit, të izolimit të vetvetes. Unë skenat, dialogun i kisha me aktoren e madhe, Tinka Kurtin. Ishte ajo që më bëri një shkollë më vete në sheshxhirim, bashkë me Besmir Bitrakun, Loredana Gjeqin etj. Për mua, deri më sot që jam ende në hapat e parë të aktrimit, ky është filmi që më ka lënë pa gjumë, si nga nga gëzimi, ashtu dhe puna me rolin.
Nga aktoret shqiptare, me cilat ke pasur më shumë feeling?
Denardo Neziri: (Qesh)Është një vajzë shumë bukur, e ëmbël, lozonjare. Nuk e shoh të arsyeshme t’ia përmend emrin, pasi për mua jeta është si një lumë që rrjedh dhe merr çfarë gjen përpara.
Mesa ke provuar deri tani, do të preferoje një të ardhme në televizion, kinema, teatër? Apo bota e showbizz-it të duket e tmerrshme për t’u bërë pjesë?
Denardo Neziri: Ende nuk i kam provuar të gjitha. Jeta është një labirinth që duhet jetuar. Ndoshta po, mund të provoja ndonjë emision edukativ, emision serioz që të përcillen ide morale për shoqërinë, njerëzit e ku të promovohen vlera. Pra, jo mediokritet, po stil. E them këtë, pasi i kam vënë vetes çmim shumë të shtrenjtë, që nuk shkoj më në lloj-lloj emisioni siç kam shkuar. Ndaj nuk përzihem më në showbizz, shikoj vetëm punën time.
/Panoramaplus.al nga Klotilda Harka
© Panoramaplus.al
