25 Maj, 2018

 “Samsung” do t’i paguajë “Apple”-it plot 539 milionë dollarë


“Samsung Electronics” do ti paguajë “Apple”-it plot 539 milionë dollarë dëmshpërblim për kopjimin e karakteristikave të “iPhone”-it të saj origjinal. Ky është vendimi i marrë nga një gjykatë amerikane.

Ky vendim përbën hapin më të fundit të një beteje të gjatë ligjore mes prodhuesve më të mëdhenj të “smartphone”-ve në botë.

 

Ndërkohë kujtojmë se sherri nisi në vitin 2011, kur gjiganti amerikan argumentoi se “Samsung”-u koreano-jugor kishte shkelur disa patenta.

Më pas, në vitin 2012 “Apple” fitoi të drejtën të paguhej me 1.05 miliardë dollarë për dëmin e pësuar, por dy rivalët kanë luftuar fort që atëherë për shumën përfundimtare, e cila tashmë fiksohet në mbi 530 milionë dollarë.

Këto para kërkohen për shkeljen e 3 patentave të dizajnit të “Apple”, ndërsa pjesa tjetër ishte për shkelje të dy funksioneve të patentuara. Ndryshe nga “Samsung”-u që reagoi ashpër, firma amerikane u shpreh e kënaqur me vendimin, e sidomos me faktin që anëtarët e jurisë “u pajtuan me idenë se “Samsung” duhet të paguajë për kopjimin e produkteve të saj”, duke theksuar se i gjithë ky rast, për të kishte qenë gjithmonë diçka më shumë sesa paratë.

Panorama Plus

© Panoramaplus.al