3 Tetor, 2020

Romeo dhe Donald Veshaj ideojnë “treshat” për orët e vona. Pas dështimeve të bisedimeve me Xhemi Shehun, binjakët zgjedhin Einxhel Shkirën


Romeon dhe Donald Veshajn i pamë deri në fund të sezonit televiziv në emision “Treshat”, e duket se ata nuk do heqin dorë as këtë sezon të ri televiziv nga “treshja” televizive.

Me Bora Zemanin përkrah, planet e vëllezërve binjakë ndryshuan, pas largimit të moderatores në ekranin e “Top Channel”, ku këtë sezon prezanton “Përputhen”.

E ndërsa Borën e shohim çdo ditë në programin ku vajzat njihen me djem, mësohet se edhe vëllezërit do t’i shohim në një format ndryshe në format dhe fashë televizive, por pa ndryshuar formulën e “Treshat”.

Tashmë nuk është më sekret për mediat se Romeo dhe Donaldi janë gati të rikthehen në ekran me një program të orëve të vona ‘Late Night’, ku nuk do të jenë vetëm.

Edhe këtë herë, ata do të kenë përkrah një vajzë të njohur të botës së televizionit, e cila është Einxhel Shkira. Nëpërmjet postimeve të fundit në “InstaStory”, Einxhel kishte lënë të kuptohej se do të rikthehej në një emision, por pa zbuluar asnjë detaj të mëtejshëm.

Ndërkohë që marrja e vendimit për të përshirë Einxhel në projektin e tyre, erdhi pas bisedimeve që nisën me Xhemi Shehun. Pas largimit të saj të bujshëm nga drejtimi i spektaklit “Portokalli”, ishte Romeo që postoi një foto të tyre me Xhemin në tavolinë.

Kjo foto nënkuptoi se ata jo më kot ishin ulur bashkë, duke qenë se kishin nisur bisedimet për t’u bërë bashkë në këto projekt të ri televiziv, ku nuk do të mungojnë batutat dhe humorit, të cilat mund të jenë edhe më ngacmuese, duke u nisur nga orari i vonë.

Nuk dihet pse Xhemi nuk ra dakord me vëllezërit dhe nëse këtë sezon ajo do jetë përfundimisht jashtë ekranit. Ndërkohë, Einxhel Shkira është një nga moderatoret e sportit më të njohura në televizionet shqiptare, e cila pranon këtë ofertë vetëm një muaj pasi deklaroi se kishte hequr dorë përfundimisht nga programet e sportit.

Einxhel zbuloi se nuk dëshiron të rikthehet në televizion, pasi nuk do “që të frenojë gojën brenda kornizës ku të tjerët duan ta fusin”.

Në një miniintervistë me ndjekësit në “Instagram”, moderatorja u shpreh se kanë tentuar të shesin me imazhin e saj, duke theksuar se nuk është aspak e lehtë të luftosh me steriotipet, që krijojnë njerëzit në mendjet e tyre. Ndërsa theksoi se është shumë më shumë sesa një “pjeshkë” mbi taka.

“Nëse doni të jem e sinqertë nuk kam asnjë projekt në televizion, as nuk duam të kem, as të rikthehem. Dua të bëj diçka që më mbush dhe më jep kënaqësi kur e bëj! Dua diçka që të jem 100% vetvetja dhe të mos frenoj gojën brenda kornizës që të tjerët duan të më fusin. Deri sot dashje, pa dashje kanë tentuar vetëm të shesin me imazhin tim dhe deri diku ka qenë e paevitueshme dhe aspak e lehtë të luftosh me steriotipet që krijojnë njerëzit në mendjet e tyre paragjykese. Por unë e di kush janë dhe çfarë dua, unë jam më shumë se pjeshka mbi taka dhe ky është projekti im i rradhës”, tha Einxhel Shkria.

E, me sa duket, me vëllezërit Veshaj ajo ka gjetur gjuhën e përbashkët për të qenë vetvetja dhe e lirshme për t’u shfaqur në ekran në mënyrë krejt origjinale.

/Panoramaplus.al

© Panoramaplus.al