13 Shkurt, 2018

Reperi Eli-G, klip për Shën Valentinin: Pse vendosa t’u këndoj ndjenjave, sot kur dashuria blihet me para


Pas këngës “Unë jam Elsamedi” dhe “A din me Bo Twerk” reperi Eli-G (Elsamed Senaj) i “Big Brother 9” vjen më romantik se kurrë me një histori të vërtetë dashurie me klipin “Ti je zemër”. Për gazetën “Panorama”, ai flet për klipin e shtrenjtë që do e publikojë në ditën e Shën Valentinit, 14 shkurt dhe pse vendosi të flasë për ndjenja, sot kur ndodh që dashuria blihet me para.

“Zemër je ti” titullohet kënga jote për Shën Valentin. Pse një reper si ty bëhet kaq romantik dhe flet e këndon për ndjenja?

Edhe unë kam ndjenja, madje shumë ndjenja. Nëse në dy-tre projekte muzikore kam ardhur ndryshe, ky projekt është krejt gjë tjetër. Jam i sigurt që në atë tekst që kam shkruar dhe ato ndjenja që kam shprehur, do e gjejë veten çdo njeri. Kënga gjithë kohës flet për dashurinë e vërtetë mes një çifti.

Skenat e klipit të kujtojnë ato arratisjet për pushime dimërore të një çifti të dashuruar. Kush është vajza misterioze, për të cilën ia vlejti kjo arratisje?

Xhirimet e videoklipit janë realizuar në Mavrov të Maqedonisë dhe në Brezovicë të Kosovës. S’më kujtojnë pushimet dimërore, po ashtu ishte. Pra, edhe pse xhirova, përsëri u arratisa, edhe për xhirime, edhe për pushime. Vajza në klip është një modele nga Kosova, mjaft e mirë dhe shumë aktore profesioniste, që e falënderoj!

Premierën e klipit e ke rezervuar për ditën e të dashuruarve, 14 shkurtin. Mendon se do të bëhet një hit?

Kënga është një “Love Story” dhe bën fjalë për ata njerëz që dashurojnë vërtet. Kam shumë besim që kjo këngë do t’i shoqërojë njerëzit shumë gjatë, në vendet ku ata janë.

Sa ka kushtuar një projekt i tillë, i xhiruar në vende turistike?

Ka kushtuar mjaft, sepse kemi qëndruar ditë në Kosovë, edhe në Maqedoni, bashkë me stafin. Pra, llogariteni vetë (qesh). Por nuk i shikoj shpenzimet, sepse jemi munduar të realizojmë një histori të bukur të klipit, në bashkëpunim me regjisoren dhe skenaristen Klaudia Shehu, që është marrë me çdo detaj.

A mos ndoshta brenda kësaj kënge është historia jote e dashurisë dhe cili është ai varg që mbetet në mendje?

Çdo fjalë e tekstit që kam shkruar, ka dalë nga shpirti im dhe ka qenë e ndjerë. Çdokush ka një histori dashurie. Kështu, besoj do të ndjehet mirë çdo femër, që të ketë në jetën e saj një mashkull që t’ia shprehë dashurinë në formën e tekstit të kësaj kënge. E gjithë fabula ka vargje të bukura, por do të veçoja: “Të dua më shumë se dje”.

Dashuria mund të blihet me para?

Dashuria e vërtetë nuk bli het me para. Por disa persona “dashurojnë” çdo ditë nëse bëhet fjalë për para. Por vetëm disa, e theksoj.

Po pa para në xhep, a mundesh të dashurosh?

Dashuron pa para në xhep, por vështirë të jetosh ose më saktë çdo person duhet të gjejë kategorinë e vet të jetesës.

KLOTILDA HARKA/ PANORAMA PLUS

© Panoramaplus.al