Opozita ka arritur përsëri të krijojë tension në sallën e Parlamentit. Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Edmond Spaho, mori fjalën që në nisjen e seancës këtë të enjte, ku kërkoi që të flitet për çështjen e ekstradimit të Seitit, i njohur si “financieri” i grupit të Habilajve.
Kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi, nuk e pranoi, duke i thënë që ka dalë nga rendi i ditës. Kjo ka krijuar tension mes deputetëve të opozitës, të cilët janë ngritur dhe kanë bllokuar foltoren e Parlametit. Më pas, Ruçi përjashtoi nga seanca Edmond Spahon.
Pas kësaj, opozita e bashkuar bëri një protestë para sallës së Parlamentit, duke mos e lënë Ramën të flasë para gazetarëve. Të mbledhur të gjithë bashkë, ata shanin në kor, hajdut… kriminel. Në këtë situatë, Rama nuk ka ndaluar të flasë me gazetarët, por pasi ka biseduar pak me deputetët e tij, ka hipur në makinë dhe ka ikur pa dhënë një prononcim për ngjarjen. Por reagimin e tij e ka bërë në “Facebook”, menjëherë më pas.
Fate Velaj heq kapelen para Ramës
Deputeti i Partisë Socialiste në qarkun e Vlorës, Fate Velaj, njihet për stilin e tij të veçantë në veshje. Ai del nga klishetë, që zakonisht përdorin meshkujt, duke guxuar me ca kombinime ngjyrash që e bëjnë të bjerë në sy.
Këto ditë të ftohta ai mban një kapele republike në kokë, deputeti i dytë, pas Genc Strazimirit të Partisë Demokratike, me një të tillë. Por Velaj ka një veçanti, në ndryshim nga Strazimiri që kapelen nuk e heq nga koka, edhe kur flet me liderat e vjetër e të rinj të partisë së tij, Velaj e heq dhe madje e mban nga pas kapelen, kur përballë ka Kryeministrin Rama.
© Panoramaplus.al
