Autoritetet ruse kanë paralajmëruar personat e mbeldhur në protestën kundër luftës pasi presidenti i vendit Vladimir Putin nisi pushtimin e Ukrainës.

Komiteti Hetues, një organ qeveritar i vendit që heton krimet e mëdha, paralajmëroi shtetasit rusë që kanë dalë në protestë për pasojat ligjore që do të kenë duke i konsideruar grumbullimet e tyre “të paligjshme”.
“Duhen pasur parasysh pasojat ligjore negative të këtyre veprimeve në formën e ndjekjes penale deri në përgjegjësi penale”, thuhet në njoftim.

Ministria e Brendshme ruse tha se do të marrë “të gjitha masat e nevojshme për të siguruar rendin publik”.
Rusia ka ligje të rrepta për protestat dhe demonstratat të cilat shpesh përfundojnë me arrestime masive.
Disa rusë bënë thirrje nëpërmjet mediave sociale që njerëzit të dalin në rrugë për të protestuar kundër sulmit në Ukrainë. Monitoruesi i “OVD-info”, tha se të paktën 27 persona ishin arrestuar në të gjithë Rusinë për organizimin e protestave kundër luftës.

Kryetari i opozitës në rusi, Alexei Navalny, tha më herët këtë të enjte se ishte kundër pushtimit në një fjalim gjatë gjyqit të tij.
“Unë jam kundër kësaj lufte,” u dëgjua duke thënë Navalny në një video të publikuar nga gazeta e pavarur e lajmeve Dozhd.
“Kjo luftë midis Rusisë dhe Ukrainës u nis për të mbuluar vjedhjet nga qytetarët rusë dhe për të larguar vëmendjen e tyre nga problemet që ekzistojnë brenda vendit,” tha ai.



