Aktorja e famshme, Priyanka Chopra, pritet që shumë shpejt të publikojë një libër për veten, të titulluar “I papërfunduar”.

Bashkëshortja e Nick Jonas ka vendosur që nëpërmjet tij të rrëfejë të gjithë të pathënat nga jeta e saj, sipas “The Guardian”.


Në një intervistë për “Metro UK”, aktorja dhe modelja ka treguar një histori, të cilën në libër e ka shtjelluar më gjatë.

Ajo rrëfeu se pasi fitoi konkursin e bukurisë “Miss World” në vitin 2000, një producent filmi i sugjeroi që të zmadhonte gjoksin, por jo vetëm kaq.

“Pas disa minutash bisedë, producenti më tha të ngrihem dhe të rrotullohem për të. E bëra. Ai më vështroi gjatë duke më vlerësuar dhe më pas më sugjeroi të bëja një zmadhim gjoksi, të rregulloja nofullën dhe të shtoja pak në prapanicën time. Nëse do të doja të bëhesha aktore, ai tha se duhej të rregulloja si fillim përmasat e mia”, zbuloi Pryianka.

Madje, sipas saj, producenti i kishte sugjeruar edhe një mjek në Los Anxhelos që mund ta ndihmonte për ndërhyrjet në trup. Priyanka tha se menaxheri i saj kishte rënë dakord me këtë gjë, por ajo nuk kishte pranuar.

“Unë u largova nga zyra e producentit duke u ndjerë e shtangur dhe e vogël. Po, unë u përballa me atë atëherë, u përballa me atë si të gjithë kur jeni në një industri patriarkale, e cila ka ekzistuar për një kohë shumë të gjatë”,- shtoi modelja.

Detaje të tjera nga jeta personale dhe ajo profesionale, Chopra do t’i tregojë pasi libri të dalë në treg.


