7 Maj, 2018

Pritej reagim i ashpër ndaj Kozeta Kurtit, por Ronela habit me përgjigjen


E gjitha nisi nga një intervistë që këngëtarja e njohur Ronela Hajati dha te programi i Rudina Magjistarit. Ajo në emison tha: “Në RTSH ka shumë njerëz që janë aty, qëkur babai im i ka vënë në punë. Tani babai im ka vdekur dhe duhet të kishin ikur edhe ata”.

Kaq ka mjaftuar që kësaj deklarate t’i kundërvihej gazetarja Kozeta Kurti, e cila aktualisht punon në RTSH. Ndër të tjera, Kurti shkruan: “Ronel’, bën shumë mirë që e aspiron Festivalin Europian, se të paktën ëndrrat pa lekë i kemi, por merre në konsideratë një këshillë: Prit Ronel’! Mëso të flasësh në televizion, mëso të mos e quash punën tënde ‘gjëja’, mëso të kesh etikë, mëso të kuptosh kur gabon dhe reflekto, pastaj aty është edhe Europa. Së fundmi, Ronel’! Eja në festival! Sot xhiruam spotin që njofton autorët e interpretuesit të sjellin materialet e tyre për edicionin e 57-të! Ku i dihet… ndonjë nga të lashtët që janë në punë që prej kohës së babait tënd, mund të negociojë e të të shpallin fituese dhe kështu… ëndrra jote për Europën vjen ende më afër! Vetëm se… ‘A do të jenë më ata të lashtët që duhet të ishin larguar, që pas ikjes së babait tënd apo në një rast si ky, janë ata që më në fund u treguan zotërinj e bënë zgjedhjen më të mirë?”, – ka shkruar Kozeta.

Pritej një reagim i stilit të Ronelës, e cila është mjaft impulsive, por jo. Përgjigja e saj ka zhgënjyer pak ata që donin të vijonte sherri me tone të larta. Ja çfarë shkruan Ronela: “Kam luftuar gjithë jetën për këtë muzikë që të më doni ju, sepse te ju prezantohem… dhe më prek çdo fjalë që dëgjoj si të mirë dhe jo! Kam dhënë shpirtin tim, duke punuar ditë e natë që fëmijë për këtë muzikë, me aq sa kam mundësi, pa e lavdëruar kurrë veten time! Kurrë…! Shikoj përditë vrer që villet për të gjithë, në përgjithësi! Le të marrim një moment dhe të duam një sekondë më shumë njëri-tjetrin! Nuk na gjen gjë…”, përfundon Ronela.

PANORAMA PLUS

© Panoramaplus.al