Priscilla Presley ka ndarë rrëfimin më të dhimbshëm të jetës së saj në një intervistë të fundit për PEOPLE, duke përshkruar natën e fundit që kaloi me vajzën e saj, Lisa Marie Presley, para se kjo e fundit të ndërronte jetë papritur në janar 2023, në moshën 54-vjeçare.

Të dyja ishin të pranishme në ceremoninë e çmimeve Golden Globes, ku mbështetën filmin Elvis dhe aktorin Austin Butler, i cili fitoi çmimin për Aktorin më të Mirë në një Film Dramatik. Ishte një mbrëmje e rëndësishme, e mbushur me emocione dhe krenari, por askush nuk mund ta kishte parashikuar tragjedinë që do të pasonte.
Pas eventit, Lisa Marie u ankua për dhimbje barku dhe vendosi të kthehej në shtëpi.
“E pyeta nëse ishte mirë. Nuk e dinim sa keq ishte. Ishte si një rrufe, mbetëm pa fjalë,” kujton Priscilla.
Vetëm dy ditë më vonë, më 12 janar, Lisa Marie ndërroi jetë si pasojë e një bllokimi fatal të zorrëve – një ndërlikim i një operacioni të mëparshëm bariatrik. Priscilla e përshkruan atë moment si “ditën e dytë më të trishtuar të jetës”, pas vdekjes së Elvis Presley.
Në librin e saj të ri me kujtime, “Softly, As I Leave You: Life after Elvis”, që publikohet më 23 shtator, Priscilla rrëfen se si nxitoi në spital kur mori lajmin se Lisa ishte gjetur pa ndjenja në shtëpi nga ish-bashkëshorti i saj, Danny Keough.
“Që nga momenti që hyra në dhomë, e dija që Lisa ishte zhdukur. Shpirti i saj nuk ishte më aty.”
Ajo përshkruan orët dramatike në spital, momentin kur mjekët i komunikuan se nuk kishte më shpresë, dhe vendimin e dhimbshëm për ta hequr të bijën nga aparatet mbështetëse në jetë.
“Mendova për vajzën time të egër, rebele dhe pasionante… Zëri im mezi s’i kalonte një pëshpëritjeje: ‘Hiqeni nga aparati, doktor’.”
Rrëfimi i Priscilla Presley është një dëshmi tronditëse e dhimbjes së një nëne, e cila ka përjetuar dy humbje të mëdha, dashurinë e jetës së saj, Elvisin, dhe vajzën e vetme që lanë pas.
© Panoramaplus.al
