9 Korrik, 2025

Prej vitesh larg ekanit, rrëfehet për herë të parë Ermal Mamaqi: Ja pse hoqa dorë nga televizoni


Aktori i njohur Ermal Mamaqi ka thyer heshtjen për herë të parë rreth arsyeve që e çuan të largohej nga televizioni.

 I ftuar në një intervistë, artisti i njohur tha se vendimi nuk erdhi papritur, por si rezultat i një reflektimi personal mbi kohën, lodhjen dhe dëshirën për të ndjekur një drejtim të ri në karrierë.

“Mendoj që koha ime për atë lloj show kishte kaluar. E ndjeva që performanca ime nuk ishte më ajo që duhej,”  tha ai.

Ermali pranoi se e kishte kuptuar që duhej të largohej kur ishte ende në kulmin e vëmendjes publike.

“E di kur është momenti më i mirë për të mbyllur një bisedë? Kur është në kulmin e saj. E ndjeva që po shkoja poshtë, dhe aty mbaroi.”

Aktori dhe producenti, i njohur për humorin e tij, theksoi se aktualisht është fokusuar në fusha të tjera, ku gjen më shumë kuptim dhe liri krijuese.

“Televizioni është një mashtrim i madh. Nuk më mungon. Kur e realizon veten në forma të tjera, nuk ndjen më mungesën e ekranit,” u shpreh Ermali.

Megjithatë, për fansat që e ndjekin që prej kohës së “Portokalli”, ai nuk e përjashtoi mundësinë e një rikthimi:

“Më kanë ardhur disa oferta. I kam falënderuar, por nuk më kanë bindur. Nëse do të vinte një projekt ndryshe, sfidues, do ta pranoja me kënaqësi,” tha aktori në “Flet”.

© Panoramaplus.al